Deputetët, të pa prekur nga AKI-ja
Deputetët mund të mblidhen në seancë me dyer të mbyllura dhe të debatojnë rreth çfarëdo plani të qeverisë, i cili për shkak të ndjeshmërisë duhet mbajtur larg vëmendjes së publikut. Rendi kosovar e lyp që materiali i cili shërben për debat, pavarësisht peshës që ka, duhet t’u shpërndahet paraprakisht të gjithë deputetëve.
Dhe pavarësisht se ata janë 120, asnjëri syresh nuk është i verifikuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, për t’u parë nëse është i denjë ose jo për të pasur qasje në dokumente konfidenciale.
Një proces i tillë verifikimi ka nisur të aplikohet vitin e kaluar në së paku dy ministri të Qeverisë.
Vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë AKI-ja ka “zbuluar” rreth 60 zyrtarë që mund të paraqesin rrezik për sigurinë në vend. Për rrjedhojë, asnjëri nga ta nuk mund të vazhdojë të punojë në një zyrë ku qarkullojnë dokumentet sekret,shkruan “Koha Ditore”.
Por, a duhet që një verifikimi të ngjashëm t’u nënshtrohen edhe deputetët?
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk sheh asgjë të keqe nga një gjë e tillë, ndonëse nuk jep përgjigje të prerë.
“Ne parim nuk ka asgjë të keqe nëse deputetët i nënshtrohen verifikimit. Por aktualisht mund të them se të paktën ata që marrin pjesë në Komisionin për Siguri dhe Komisionin për mbikëqyrje të AKI-së do të duhej t’i nënshtroheshin një procesi të tillë”, ka thënë ai.
Krasniqi në fakt është i vetmi person që mund të kërkojë nga AKI-ja ta verifikojë ndonjë deputet.
Një kërkesë të ngjashme e ka bërë vitin e kaluar për anëtarët e Komisionit për mbikëqyrje të AKI-së, ndonëse nga ajo nuk është prodhuar ndonjë rezultat.
Kreu i Kuvendit ka bindjen se AKI-ja nuk ka qenë e vullnetshme për t’i hetuar deputetët.
Kërkesa për verifikim që bërë me iniciativë të vetë anëtarëve të Komisionit për AKI. Kjo për faktin se ata nuk po arrinin ta ushtronin mandatin kontrollues mbi AKI-në./Indeksonline/