Arrestohet bosi i drogës në Makovc
Policia antidrogë në dy operacione të ndara ka konfiskuar mbi 17 kg substancë narkotike që dyshohen të jenë të llojit marihuanë.
Operacionit policor të koduar “Thëllëza” që u zhvillua mbrëmë rreth orës 20 e 30 minuta në Prishtinë, i parapriu një punë hetimore dhe operative nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN-së) e Policisë së Kosovës.
Zyrtarët policorë së pari kanë identifikuar dy të dyshuar me veturën e llojit Reno Clio në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë dhe gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit është gjetur një sasi e dyshuar e substancave narkotike e llojit marihuanë.
Kapiten Bahri Shala, shef i antidrogës në Policinë e Kosovës ka deklaruar se gjatë operacionit me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është bastisur një shtëpi në fshatin Makovc të Prishtinës, i cili dhe ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve dhe konfiskimin e 14 kg e 526 gram substancë narkotike e llojit marihuanë.
Ai tha se vlera e drogës së konfiskuar sillet rreth 20 mijë euro dhe e njëjta ka qenë për konsumim në tregun e brendshëm.
Rasti tjetër është lajmëruar dje rreth orës 22 e 30 minuta në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë me ç`rast është arrestuar një femër e dyshuar dhe janë konfiskuar 2 kg e 537g substancë narkotike e llojit marihuanë.
Si rezultat i këtyre dy operacioneve policore janë arrestuar tre të dyshuar: B.K. (1976) dhe M.M.(1974) që të dy shqiptar/kosovar dhe në rastin e Stacionit të Autobusëve është arrestuar e dyshuara T. H.(1990), shqiptare/kosovare.
Policia e Kosovës në të dy operacionet në total ka konfiskuar: 17 kg e 63 gr marihuanë dhe një veturë.
Personave të arrestuar në konsultim me prokurorin kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë./Indeksonline/
—
Mbi 14 kg substancë narkotike është konfiskuar dje në rajonin e Prishtinës. Policia e Kosovës më vonë do të shpalosë detaje të këtij operacioni të realizuar nga Departamenti i hetimeve i Policisë së Kosovës./Indeksonline/