Kalo te lënda

Veriu i Kosovës – shkrepse qe mund të ndezë ne çdo kohë!

403x30243785Mitrovica_e_Veriut_-_KosoveÇështja e veriut të Kosovës përfundimisht do të jetë në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo tashmë konfirmohet nga vet ndërmjetësuesja e dialogut politik Prishtinë-Beograd, Catherine Ashton, shefe për politike të Jashtme edhe Siguri e Bashkimit Evropian.
Rreth pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, problemi i veriut të Kosovës, i banuar më shumicë serbe, pritet të bëhet temë diskutimi me autoritetet e Beogradit. Kjo do të ndodhë më 17 janar në Bruksel, në një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq.
Qeveria në Beograd ka një platformë që parasheh autonomi për veriun e Kosovës, e qeveria në Prishtinë ka Kushtetutën e vendit që nuk lejon statuse të veçanta për komunitete në rajone të caktuara.
Megjithatë, për vet faktin që çështja e veriut po diskutohet me autoritetet e Beogradit, kjo sipas analistëve e lë të hapur mundësinë e kompromisit për veriun.
Sidoqoftë, më 17 janar takohen kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq.
”Më 17 janar do të takohemi për të shqyrtuar progresin e arritur, posaçërisht rreth implementimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe siç jemi marrë vesh në takimin e 4 dhjetorit të vitit 2012, ne do të diskutojmë edhe për veriun e Kosovës”.
Kështu shprehet për mediat lokale në Prishtinë, shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, duke vlerësuar se situata e sigurisë në veri është e paqëndrueshme, por, sipas saj, ndarja e veriut të Kosovës nuk është opsion.
Që të ketë biseda me serbët e veriut të Kosovës për integrimin e tyre në jetën institucionale dhe shoqërore, pajtohet presidentja e vendit Atifete Jahjaga, por, ajo thotë se çështja e të drejtave të serbëve në veri, nuk mund të trajtohet si çështje e ndarë sepse këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës.
Sipas saj, institucionet e Kosovës janë të obliguara që të diskutojmë me të gjithë qytetarët dhe t’i trajtojnë kërkesat e tyre si qytetarë të Republikës së Kosovës.
”Çështja e pakicave kombëtare apo komuniteteve, përveç ligjeve vendore, është e rregulluar edhe në bazë të konventave ndërkombëtare. Kjo çështje mund të rregullohet edhe me marrëveshje bilaterale ndërmjet të dyja shteteve dhe me reciprocitet për pakicat respektive. Serbët si shtetas të Republikës së Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë individuale, kolektive dhe kombëtare sikurse edhe shqiptarët dhe popujt e tjerë që jetojnë në Kosovë. këto të drejta nuk janë të determinuara as për nga numri as për nga pjesët ku jetojnë dhe Republika e Kosovës përmes planit të decentralizimit ka autonomi në nivelin komunal me të drejta të veçanta në fusha të caktuara”, thotë presidentja Jahjaga.
Ajo hedhë poshtë çdo mundësi që të ketë autonomi territoriale për serbët e veriut të Kosovës, ashtu siç pretendon Serbia në platformën e saj për Kosovën.
”Procesi i dialogut, tashmë i filluar, është një proces që e ka rrugën e qartë dhe që zhvillohet ndërmjet palëve të barabarta dhe miratohet me pajtimin e të gjitha palëve. Dialogu është një proces i pandalshëm i cili ka temat dhe zgjidhjet konkrete dhe që ka një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe që patjetër do të përfundojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve tona”, thotë presidentja Jahjaga.
Mirëpo, megjithatë, prezantimi i platformës së Serbisë për Kosovën i ka komplikuar pak gjërat. Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, thotë se prezantimi i platformës për Kosovën që fokusin e ka te veriu i Kosovës, padyshim që ka shënuar një hap prapa në dialogun politik Kosovë-Serbi.
”Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është projekt vetëm i dy shteteve të pavarura, është një projekt evropian dhe amerikan, prandaj ne do të mbesim në kornizat e dialogut. Çfarëdo që sugjeron platforma serbe sa i takon situatës në veri të vendit dhe sa i takon idesë për një autonomi territoriale apo një entitet i cili do të duhej të ishte i veçantë në rrafshin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, në rrafshin e policisë dhe gjyqësisë, ide të tilla janë të papranueshme edhe në Prishtinë edhe në Bruksel dhe Uashington, meqë diçka e tillë do të ishte një ndarje e brendshme e Kosovës”, thotë Enver Hoxhaj.
Analistët politikë në Serbi ndërkaq, thonë se vet fakti që çështja e veriut të Kosovës është në tavolinën e bisedave, kjo nuk e përjashton mundësinë që veriu i Kosovës të përfitojë një status special. Dushan Janjiq, drejtor i Fondit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, ka thënë për mediat lokale se në pranverën e vonshme apo në verën e vitit 2013, mund të arrihen disa marrëveshje për pjesën veriore të Kosovës.
”Për momentin e kemi një qëndrim të qartë në Beograd, i cili po promovon idenë e një asociacioni të komunave për të gjitha komunat serbe. Në fund të fundit, ky model mund të zbatohej në veri. Supozoj që ky do të jetë optimumi i kërkesës serbe. Në anën tjetër, e kemi deklaratën e kryeministrit, Hashim Thaçi, se në janar ai do të përgatisë propozimet e veta. Kjo do të thotë se të dyja palët janë të gatshme për dialog”, u shpreh Janjiq.
Analistët në Prishtinë ndërkaq, thonë se Beogradi po dëshiron pikërisht që çështja e veriut të trajtohet e veçantë, me synimin që – në fund të fundit – të mund ta ndajnë atë pjesë nga Kosova.
”Beogradi dëshiron të tregojë se veriu i Kosovës nuk ka një subjektivitet, që nuk drejtohet në tërësi dhe që Qeveria e Kosovës atje nuk mund të funksionojë, prandaj kërkon të gjej një status republike brenda Kosovës, në mënyrë që të shndërrohet Kosova në një federatë, si Bosnja dhe Hercegovina. Sikurse Serbia të ishte një shtet i orientuar nga perëndimi, zhvillimi i rajonit do të ishte shumë më i hovshëm dhe kjo do të kishte ndikim edhe në Maqedoni edhe në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe në Kosovë”, thotë Nexhmedin Spahiu.
Nga ana tjetër, analisti politik në Prishtinë, Behlul Beqaj, thotë se dialogu me Serbinë është një rrugë që duhet vazhduar dhe në këtë linjë, sipas tij, faktorizimi i serbëve të veriut – është i pashmangshëm.
”Për të shkuar, gjithsesi, se s’ka asnjë dilemë, sepse kjo është një rrugë që duhet vazhduar. Sipas mendimit tim, do të zhvillohet biseda sipas skenarit të BE-së dhe SHBA-së, që në fakt do të thotë faktorizimin e serbëve të Serbisë në Kosovë, përmes një zgjidhjeje të veçantë për serbët në veri dhe ndoshta rishikimit të pozitës së serbëve në jug, që në esencë është faktikisht prishje e Planit të Ahtisarit”, thotë Behlul Beqaj.
Për një hap prapa në dialogun me Kosovën pas publikimit të platformës serbe për Kosovën flet eurodeputetja Ulrike Lunacek. Ajo i tha Radio Kosovës se, një model i ngjashëm për veriun e Kosovës si në Bosnje e Hercegovinë, nuk mund të ndodhë.
”Diçka si Republika Serbe në Kosovë nuk do të lejohet në as një mënyrë nga Bashkimi Evropian. Kjo duhet të jetë e qartë. Do të thosha se, veprimet që qeveria serbe bën jashtë procesit të dialogut për nevoja të konsumit të brendshëm politik nuk duhet të merren seriozisht. Në Serbi ka njerëz që duan gjëra të tilla, por unë mendoj se duhet të përqendrohemi në çështjet që zhvillohen brenda kornizave të dialogut nën drejtimin e zonjës Ashton, dhe jo të diskutojmë letra pa vlerë siç është kjo platformë, sepse kështu do të kemi më pak shqetësime”, thotë Ulrike Lunacek.
Ajo shton se Bashkimi Evropian ka ide për zgjidhjen e problemit në veri të Kosovës, dhe kjo, sipas saj, është Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës.
”Serbët e veriut duhet të veprojnë njësoj si ata në jug të lumit Ibër: të organizojnë zgjedhje të lira, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë, kryetarin e tyre të komunës. Por ato zgjedhje, sigurisht që duhet të mbahen sipas ligjeve kosovare. Është me shumë rëndësi që Beogradi t’i zhbëjë menjëherë strukturat paralele, por, ashtu siç e parashikon edhe Plani i Ahtiasrit, Beogradi ka të drejtë të kujdeset për serbët në Kosovë dhe në mënyrë transparente, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës të ndihmojë financimin në fushë të arsimit e shëndetësisë. Kjo është e mundur dhe këtë e lejon edhe Kushtetuta kosovare”, thotë Ulkrike Lunacek.
Përfaqësuesit e partive më të mëdha politike në vend, me përjashtim at të ”Vetëvendosjes” tashmë janë pajtuar që Qeveria e Kosovës duhet të nisë dialog me serbët e veriut të Kosovës, por jo që të kalojë vijat e kuqe.
”Janë rezolutat që i ka nxjerr Kuvendi i Kosovës, të cilat i përcaktojnë shumë qartë se çka dhe si mund të trajtohet problemi i Mitrovicës. Kosova është një dhe e pandarë; integriteti territorial i Kosovës duhet të respektohet. Ne jemi deklaruar dhe e mbështesim qëndrimin e Kryeministrit te vendit se nuk ka lëvizje të kufijve, nuk ka privilegj për një pjesë të territorit në dallim prej pjesëve të tjera. Të gjithë qytetarët e Kosovës – në Kosovë – janë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe fetare, siç është edhe Kosova një e pandarë dhe e pandryshueshme”, thotë Adem Grabovci.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në opozitë Ismet Beqiri. Ai thotë se të drejtat që përcaktohen në Pakon e Marti Ahtisarit, është maksimumi që mund të kenë serbët e veriut të Kosovës.
”Ne si LDK, e kemi thënë vazhdimisht se, Pakoja e Marti Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, është bazë, është themel i çdo procesi, i çdo bisede për dhe rreth Kosovës. Së këndejmi, edhe sa i përket LDK-së- kryesorja është që ajo që është në Pakon e Marti Ahtisarit – të implementohet. Ajo që duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare është që duhet të bëjë presion mbi Beogradin që të tërheq strukturat paralele, dhe atëherë jemi të bindur se do të implementohet ajo që parashihet. Por, pjesën më të madhe të përgjegjësisë e ka Qeveria e Kosovës, e cila nuk ka qenë as këmbëngulëse, as e dijshme që të bëjë hapa më të qëndrueshëm, më pragmatikë, në drejtim të asaj që parashihet në Pakon e Presidentit Ahtisari”, thotë Ismet Beqiri.
Sekretari i Përgjithshëm i lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj tha se, shkuarja në dialogun me Serbinë pas bërjes publike të platformës së Serbisë, është vazhdim i asaj qasje, e cila Kosovën do ta shkatërrojë për se brendshmi, në kuptimin edhe territorial edhe institucional.
”Më 17 janar do të diskutohet – pikësëpari për një fond të veçantë për pjesën veriore të Kosovës, që është në kundërshtim të Kushtetutën e Kosovës. Sistemi doganor i Kosovës është i pandashëm dhe unik dhe pranimi i një fondi të veçantë tregon për një rast të veçantë, përjashtues për rregullin kushtetues të Kosovës. Prandaj, për këto arsye, pala shqiptare nuk do duhej të merrte pjesë në takimin e 17 janarit, sepse nëse edhe kësaj here merr pjesë, atëherë duhet të marr deri në fund të këtij procesi, i cili do të jetë autonomi për serbët e veriut të Kosovës”, tha Molliqaj.
Por, bazuar ne rrethanat në terren, dhe faktin që veriu i Kosovës tashmë po pritet të jetë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, kjo nënkupton se kjo pjesë, qysh tash, po shkon në drejtimin jashtë Pakos së Ahtisarit. Kështu thotë një analist tjetër politik, Shpend Kursani, nga instituti KIPRED.
”Veriu, tashmë, de fakto, është jashtë Pakos së Ahtisarit dhe po të hapen negociatat për veriun – atëherë kjo edhe de jure është jashtë Pakos së Ahtisarit. Kjo status-quo që është momentalisht, kur kemi një prezencë minimale të institucioneve të Kosovës në veri dhe një prezencë maksimale të institucioneve serbe; kjo status-quo vetëm sa do të zyrtarizohet me këto biseda”, thotë Shpend Kursani.
Analisit Kursani thotë se, Qeveria e Kosovës nuk duhet të lëvizë nga pozicioni i saj i mëhershëm. I ka vijat e kuqe të cilat ia përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës.
”Prishtina duhet ta mbajë qëndrimin e vet që nuk duhet të lëvizë nga Kushtetuta, e cila është hartuar, po ashtu, si kompromis, bashkë me partnerët evropianë. Prishtina duhet të shkojë në negociata, njëjtë ashtu siç bisedon me Bashkimin Evropian, si një palë, e cila e ka bërë kompromisin, si palë që e ka fituar pavarësinë”, thotë Shpend Kursani.
Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacçiq, takohen me 17 janar në Bruksel në prezencën e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës pesë vjet më parë, çështja e veriut pritet të jetë në tavolinën e bisedave Kosovë-Serbi, njofton rtk.
Qeveria e Serbisë synon autonomi për veriun e Kosovës. Ndërsa, synimi i Qeverisë së Kosovës është që të shtrijë autoritetin në këtë pjesë nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve lokale në zonat veriore të vendit, duke përfshirë edhe krijimin e komunës së re serbe në veri të qytetit të Mitrovicës. Udhëheqësit politikë kosovarë thonë se, vetëm në këtë mënyrë serbët e veriut mund të integrohen në shoqërinë kosovare./standardi.info

Lini një koment