Kuçi: Nuk ka nevojë për platformë
Qeveria e Kosovës po përgatitet për takimin e 17 janarit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, baroneshës Catherine Ashton. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha pas mbledhjes së Qeverisë se në këtë takim, nuk do të prezantohet asgjë që do ta prishë bazën e Kushtetutës dhe të Pakos së Ahtisaarit.
Kuçi tha se tema e 17 janarit nuk është përcaktuar ende, por ai tha se fillimisht duhet të shihet se çka është arritur nga tri takimet e deritashme mes dy kryeministrave. Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë të prezantojë platformë nëse flitet për funksionimin e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.
“S’ka nevojë të ketë platformë që duhet të hiqen strukturat e sigurisë, nuk ka nevojë platformë që financimi duhet të jetë publik, nuk ka nevojë platformë që mos të ndërhyhet në punët e brendshme. Çdo gjë është në kuadër të pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Detajet mund të diskutohen, afatet kohore dhe bartësit e tyre”, tha Kuçi, njofton RTK.
Megjithatë, Kuçi pranoi se Qeveria po përgatitet që në këtë takim, siç u shpreh ai, mos të shkojë me ‘duar në xhepa’.
“Ne nuk shkojmë bash me duar në xhepa, por nuk ka diçka që e prishë bazën e Kushtetutës, pakon e Ahtisaarit, dhe nuk ka diçka që e nënshkruan kryeministri dhe të thotë kjo është e jona. Por, ne do të shkojmë të përgatitur. Ka pasur takime vazhdimisht edhe sot, kemi pasur takime si të jemi më të përgatitur”, u shpreh zëvendëskryeministri.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e parë të Qeverisë për vitin 2013, nuk foli asnjë fjalë për takimin e radhës me homologun serb që pritet të mbahet më 17 janar në Bruksel. /Telegrafi/