Judah: Si do të ripaketohet plani Ahtisaari?
“Nëse ka vullnet do të gjendet një zgjidhje. Kjo do të ishte një zgjidhje e përafërt me ndonjë model tjetër, por secili model është i veçantë andaj dhe nuk mund të bëhet ‘copy-paste’”. Kështu e ka komentuar çështjen e veriut të Kosovës, analisti britanik Tim Judah.
Nga raundi i ardhshëm i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic, në Bruksel më 17 janar, Judah mendon se vetëm do ta hapet çështja e veriut të Kosovës.
“Pra, do të jetë më shumë një hapje e temës në formën e shkëmbimit të pikëpamjeve. Askush nuk pret ë çështja e veriut të zgjidhet brenda një takimi në Bruksel. Por, ky do të jetë vetëm fillimi i një proces”, ka thënë Judah në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Lidhur me atë se kryeministri Thaçi ka thënë se do të shtrojë për diskutim çështjen e institucioneve paralele serbe në territorin e Kosovës, përderisa Serbia insiston në paraqitjen e një platforme mbi Kosovën, analisti britanik mendon se nuk ka hapësirë për konsensus, por ka mundësi për gjetjen e një rruge drejt zgjidhjes së problemit.
“Plani i Ahtisaarit parasheh një mënyrë për financimin e institucioneve serbe në Kosovë, por me kalimin e parave përmes buxhetit të Kosovës. Nuk jam i sigurt, por besoj se ky lloj financimi mund të jetë një qasje e re (që vjen nga dera e prapme) për planin e Ahtisaarit”.
Ndërsa i pyetur nëse BE-ja do të insistojë në atë që Judah e quan “ripaketim të planit Ahtisaari”, ai thotë se flet për mundësitë e gjetjes së zgjidhjes që, në esencë, bazohen në planin Ahtisaari, por që paraqiten në mënyra të ndryshme. “Vetë BE-ja nuk mendoj se ka ndonjë qëndrim në këtë çështje”.
“Zonja Ashton po ndërmjetëson bisedimet dhe BE-ja nuk mund të ketë një qëndrim të prerë meqë pesë shtete nuk e njohin Kosovën. Por, ajo që bën BE-ja si tërësi është puna në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore”.
I pyetur nëse po lëvizin gjërat gjërat drejt një autonomie më të zgjeruar për veriun, Judah a thënë se Plani i Ahitsaarit, në fakt, parasheh një autonomi mjaft të madhe për zonat ku ajo kërkohet.
“Pyetja do të jetë se si të ripaketohet kjo për të mundësuar arritjen e një marrëveshje që esencialisht është e njëjta me atë që parasheh Ahtisaari për ato zona. Për arsye të ndryshme politike Serbia do të dëshirojë ta ripaketojë atë në një mënyrë tjetër, por nuk e di se si do të duket kjo në të ardhmen”.
Ndërsa, lidhur me modelet e përmendura për zgjidhjen e çështjes së veriut, si modeli i dy Gjermanive, ai i Slavonisë Lindore dhe të tjera, Judah mendon se “nuk ka ndonjë model në botë që do të mund të bëhej ‘copy-paste’ për këtë rast. “Por, meqë ka shumë modele në Evropë si ai i Tirolit Jugor, ai i Irlandës Veriore e kështu me radhë, zgjidhja do të varet nga gatishmëria e palëve”.
Nëse ka vullnet do të gjendet një zgjidhje. Kjo do të ishte një zgjidhje e përafërt me ndonjë model tjetër, por secili model është i veçantë andaj dhe nuk mund të bëhet ‘copy-paste’.
I pyetur nëse ekziston vullneti i të dyja palëve për të biseduar për veriun dhe për të gjetur një zgjidhje, analisti Judah ka thënë se “Deri më tani janë bërë dy hapa përpara e një prapa dhe kështu do të vazhdojë”.
“Do të ketë gjithmonë disa hapa përpara e disa prapa. Në përgjithësi, mendoj se më e rëndësishmja për momentin është fakti se kryeministri, Hashim Thaçi dhe ai serb, Ivica Dacic, kanë marrë personalisht përgjegjësinë dhe se duan të shohin përparime. Është gjithmonë e mundshme që të ketë probleme dhe ngecje”.
“Pra, do të ekzistojë frika për provokime: a do të vijë Nikoliq në Kosovë për të provokuar? A do të shkaktojë vizita e tij provokime? Pyetje të tilla do të shtrohen gjithmonë. Kjo është çështje diskutabile, por e padobishme dhe jondihmuese. Por, ekziston gjithashtu mundësia që çështja e lapidarit në Preshevë të jetë e dëmshme derisa të gjendet një zgjidhje. Por, sërish them: nëse ekziston vullneti, ekziston edhe zgjidhja”, ka thënë Judah. /Telegrafi/