Hoxhic: Qytetarët serbë do ta përqafojnë platformën ekonomike
Zyra administrative në veri të Kosovës është e gatshme të japë kontributin për të zbatuar atë që po quhet platformë ekonomike e Qeverisë së Kosovës, e cila synon të zëvendësojë financimin e strukturave ilegale nga Serbia.
Shefja e kësaj Zyreje, Adrijana Hoxhic, ka deklaruar për Telegrafin se platforma ka gjasa të mira, sepse gjatë punës së tyre në terren shumë banorë serbë kanë kërkuar mbështetje për të hapur dhe zhvilluar aktivitete ekonomike.
Hoxhic ka deklaruar se edhe përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin projekte ekonomike që do të ndihmonin qytetarët e kësaj pjese.
“Ne nuk merremi me politikat e larta, por ne në terren implementojmë projektet për mbështetjen e të gjithë qytetarëve të veriut të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Deri tash, neve na kanë kërkuar ndihmë afër 3 200 persona edhe kemi lëshuar afër 500 certifikata”, ka thënë Hoxhic.