Kalo te lënda

Gjermania insiston në zhbërjen e strukturave paralele

vlora-645x400Në kuadër të vizitave koordinuese të Qeverisë së Kosovës me kryeqytetet e Quint-it, ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku dhe këshilltari i lartë i kryeministrit, Bekim Çollaku, kanë qëndruar në Berlin, ku janë pritur nga Emily Haber, Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë

Sekretarja Haber garantoi angazhimin e drejtpërdrejtë Gjerman dhe insistimin në kushtet që ju kanë vënë palëve përfshirë zhbërjen e strukturave paralele, respektimin e plotë të integritetit territorial të Kosovës.

Por temë qendrore e takimeve ishin: procesi i integrimit euro-atlantik i Kosovës, progresi i Kosovës në procesin e MSA-së dhe Liberalizimit të vizave, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ministrja Çitaku deklaroi në takime se “Kosova do të përmbushë obligimet e veta me afate rekorde duke dëshmuar përkushtimin e përmbushjes së të gjitha detyrimeve në kontekst te integrimit Evropian. Kosova do të bashkëpunoj thellë me Qeverinë Gjermane në proceset e parapara për vitin 2013, që do të duhet të finalizojnë rrugëtimin integrues të Kosovës në mënyrë që edhe populli i Kosovës t’i ketë benefitet e njëjta që vijnë nga përafrimi me BE-në”.

Ministrja Çitaku vazhdoi se “Kosova e din se rruga është e gjatë, por përkushtimi politik ekziston që të luftohen të gjitha sfidat që na paraqiten gjatë këtij procesi. Në vitet në vijim, Kosova do të jetë kandidate për anëtarësim në BE. Pjesë esenciale e këtij procesi është përkushtimi për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe dialogu i mirëfilltë me fqinjët”, thuhet në një njoftim të kësaj ministrie.

Ndërsa Z. Çollaku deklaroi se: “Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kontribut fundamental i Republikës së Kosovës për stabilitetin dhe progresin në Ballkan. Mbështetja dhe lidershipi i Gjermanisë në këtë kontekst është jetik për suksesin dhe kredibilitetin e dialogut “.

Lini një koment