Berisha: Antenat celulare përjashtohen nga çdo taksë, stop histerisë së vendorëve
TIRANË- Kryeministri Berisha kryefjalë të mbledhjes së sotme të qeverisë kishte komunikimin me qytetarët dhe ankesat që ata shfaqin në komunikimin me të.
Duke iu kujtuar ministrave krijimin e linjave jeshile për komunikim sa më të hapur me qytetarët,Berisha ngriti një shqetësim të kompanive celulare, që sipas tij “po përjetojnë një histeri taksash nga vendorët”.
Kryeministri kërkoi sa më shpejt miratimin e një ligji që do përjashtojë këto kompani nga çdo taksim për vendosjen e antenave.
“Ka shpërthyer një histeri e autoriteteve lokale kundër antenave të kompanive celulare, duke gjykuar që janë të pasura iu këpusin taksa të majme, këtë kryesisht e bëjnë ata që thonë se do heqin çdo taksë”, tha Berisha.
Sipas tij “antenat e komunikimit përjashtohen nga çdo lloj takse, ato e japin shpërblimin disa herë më të madh se sa mendohet. Vendosja e këtyre antenave nuk mund të jetë subjekt tatimi as nga vendorët dhe as nga qendrorët, ndryshon problemi kur vendosen në pronë private”, sqaroi ai.
Duke iu bërë thirrje autoriteteve vendore Berisha shtoi se “sapo të vendoset ligji nuk keni asnjë të drejtë të taksoni antenat e telekomunikimit në Shqipëri. Ne jemi të interesuar t’i zgjerojmë”, shtoi ai.
PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR, 5 HERË MË SHUMË SHPENZIME SE NË 2005
Kreu i qeverisë deklaroi ndër të tjera se qeveria e tij ka shpenzuar 5 herë më shumë për personat me aftësi të kufizuar në krahasim me vitin 2005.
“Në vitin 2005 buxheti për personat me aftësi të kufizuar ishte 6,1 miliardë lekë, kurse buxheti aktual është 13 miliardë lekë e pallogaritur këtu fondi i rimbursimit të ilaçeve.
Pagesa ka qënë 6 e 800 lekë në muaj kurse sot është 12 mijë e 500 lekë. Pagesa për tetraplegjikët ka qënë 6 mijë e 800, sot është 9 mijë e 500 lekë. Paketa higjeno-sanitare që nuk i paguante asgjë më parë, ishte 0 për para dhe tetraplekgjikët, ndërsa sot kur ndjekin shkolla marrin 160 mijë lekë, iu paguhet më shumë se një rrogë minimale e punonjësve.
Berisha nënvizoi se tani ju rimbursohet energjia elektrike dhe telefonia fikse.
“Në tërësi shuma që kjo qeveri ka vendosur ose shpenzon sot për një para ose tetraplegjik është 5 herë më e madhe se ajo e vitit 2005. Kujdestarëve të tyre sot iu paguhen pensionet, ndërsa në 2005 nuk iu njihej asnjë ditë pune. Është bërë maksimumi nga mundësitë që ka kjo qeveri. Këto përbëjnë një shumë afër rrogës mesatare të një punonjësi”, tha Berisha.
RROGAT E PENSIONET, BERISHA: ASNJË MUNGESË FONDI, VONESË NË LISTËPAGESA
Kryeministri Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se, nuk ka pasur mungesë fondesh për shpërndarje të rrogave dhe pensioneve në disa qytete të vendit, por vonesë të listë-pagesave.
“Ka pasur prej tyre që bërtitën ‘Eureka’ atë të cilën nuk e gjetën dot për më shumë se 6 vite me radhë dhe s`do ta gjejnë dot edhe për 8 vitet e ardhshme. Nuk ka patur dhe nuk ka asnjë mungesë të asnjë lloj fondi. Ka patur një mosparaqitje të listëpagesave në kohën e duhur dhe rroga pa listëpagesën nuk mund të jepet”, theksoi Berisha.
Kryeministri iu referua edhe vonesave në disbursimin e invalidëve, të cilat i cilësoi si të papranueshme, por shtoi se kjo ka ardhur për dy arsye dhe se qeveria ka bërë maksimumin për ta.
“Invalidët kanë pasur vonesa të papranueshme, shkaku ka qënë sepse në përllogaritjen e faturës së energjisë ka pasur një abuzivitet të paparë dhe qeveria u detyrua ta përcaktojë atë mbi bazën e kritereve të përcaktuara qartë nga një studim i ERE, por ky studim është mbështetur edhe nga Banka Botërore. Gjithasht ka pasur edhe një lloj qëndrimi nga autoritetet vendore që nuk kanë qenë në lartësinë e duhuer për detyrën e tyre për shpërndarjen e kësaj ndihme”, tha kryeministri..
BERISHA-MINISTRAVE: HAPNI “FACEBOOK”!
Berisha e riktheu edhe njëherë vëmendjen tek linjat jeshile të komunikimit me qytetarët, duke vendosur si afat ditën e shtunë për çdo ministri, ndërsa kërkoi nga ata të komunikojnë me qytetarët edhe nëpërmjet e-mail e “facebook”-ut.
“Kërkova që secili prej jush të krijojë linjën falas të komunikimit të qytetarëve dhe së dyti të afishojë numrin e vetë, i cili ka ndër të tjera edhe taksat e qytetarëve, subvencioni është taksë e qytetarit. Ju kërkoj që të shtoni adresa e-mail në faqen zyrtare dhe të hapni “facebook”. S’ka asgjë të keqe të krijosh kontakte nga “facebook”. Disa ministri që si kanë vendosur, deri ditën e shtunë t’i vëmë dhe të jenë funksionuese. Këto janë avantazhet e komunikimit”, tha ai.
TAKSA E MAKINËS TË PAGUHET NË BANKË
Një shqetësim tjetër të qytetarëve që ngriti kryeministri, ishin edhe radhët e gjata të krijuara tek zyrat e pagesës së taksave të makinave.
“Tek drejtoritë e pagesës së taksave të makinës, një qytetar kërkon që pagesat të bëhen në banka dhe të vijnë on line në zyrat e drejtorive. Banka kemi plot drejtori nuk kemi, kjo praktikë të koordinohet dhe të vendoset sa më shpejt. Mendimi është i drejtë”, tha Berisha më tej.
Ndër të tjera Berisha shtoi se “i siguroj ata që nuk iu lexohen problematikat se ato ndiqen e nuk bien në vesh të shurdhër”.
(ma.ar/BalkanWeb)