Kalo te lënda

Beogradi miraton platformën, nuk e njeh Kosovën

f_0109131652863_mQeveria e Serbisë në takimin e përbashkët me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic ka miratuar dy tekste- rezolutë, për të cilën do të deklarohen edhe deputetët, si dhe dokumentin tjetër, të cilin e transmetojnë mediat serbe, që përmban instrumente të qarta për vazhdimin e dialogut dhe do të jetë obligativ për negociatorët, në këtë rast për kryeministrin Ivica Dacic.

“Serbia në seancën e qeverisë ka treguar se qëndron prapa dokumentit me gjithë kufizimet që i ka secili nga ne kur është fjala për Kosovën”, ka thënë Nikolic në konferencën për gazetarë, raporton Rel.

Platforma ka të bëjë me bisedimet politike me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Deri tash janë mbajtur disa takime të dy kryeministrave, atij të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Ivica Dacic të Serbisë. Qeveria e re dhe presidenca serbe, megjithatë, kanë vendosur që të dalin me platformë të re që do të përdoret në këto bisedime.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic tha se vendimi për platformën është marrë vendimi njëzëri, por nuk do t’i paraqitet publikut.

“Qeveria e Serbisë ka marrë sot dy vendime. Të gjitha vendimet janë marrë njëzëri, sikurse edhe të tjerat që i kemi marrë kur është formuar qeveria e re”, tha Dacic.

Sipas tij, presidenti Nikolic ka propozuar platformën për bisedime politike me përfaqësuesit e Prishtinës, e cila nuk do të dalë në publik, pasi që “nuk duhet që me platformën dhe me taktikat tona të njihen ata me të cilët duhet të bisedojmë”.

Por, ai ka nxjerrë disa detaje të saj, duke thënë se ndër to është që Serbia nuk e njeh Kosovën.

“Gjithashtu të kujtoj se nuk bëhet fjalë për bisedime për status, propozimi ka të bëjë me organizimin e jetës dhe me qeverisjen në Kosovë”, u shpreh ai.

Rezoluta përbëhet nga pesë pikë: që Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që dialogu me Prishtinën do të vazhdojë dhe se çdo progres në dialog duhet të shoqërohet me përparimin e Serbisë në rrugën e integrimit evropian, pastaj që të zgjidhet statusi i veriut të Kosovës, si dhe garancitë e veçanta për të drejtat individuale dhe kolektive të serbëve në jug të lumit Ibër”. /Telegrafi/

Lini një koment