Kalo te lënda

Ajeti: Lapidari i UÇPMB-së është në tokën e shqiptarëve

f_0108234045856_mAkademiku Idriz Ajeti thotë se me shqetësim është duke ndjekur zhvillimet në Luginë të Preshevës, sidomos kërcënimet serbe rreth lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë. Ai ka kërkuar nga serbët që të mos provokojnë ndonjë eksces lidhur me lapidarin, sepse shqiptarët e Preshevës kanë të drejtë të kenë përmendoren e tyre.
Duke dënuar politikën diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë ka thënë se çdo popull ka historinë e lavdishme, ka heronjtë dhe dëshmorët e tyre.

“Si shpërblim për meritat e tyre familjarët dhe shoqëria e një mjedisi, ku kanë jetuar e vepruar ata, kanë të drejtë të ndërtojnë përmendore apo monumente tjera. As përmendorja e UÇPMB-së në Preshevë nuk është e para dhe as e fundit në Ballkanin e pas luftës”, ka thënë akademik Idriz Ajeti, për “Presheva Jonë”.

“Shqiptarët në Preshevë kanë të drejtë të kenë përmendoret e tyre si çdo popull tjetër, fundja ata përmendoren e UÇPMB-së e kanë ndërtuar në tokë të vetën”, tha ai.

Sipas akademikut Ajeti, punët e mira shkojnë dalëngadalë. “Edhe shqiptarët e Luginës nuk duhet të nguten dhe t’i shmangen provokimeve, sepse askush nuk kërcënon rastësisht. Ne në Kosovë kemi shumë përmendore serbe, madje edhe të atyre që kanë ndjekur e luftuar vazhdimisht shqiptarët, por nuk i ka shkuar mendja ndokujt t’i kërcënojë apo shkatërrojë ato”, tha akademiku Ajeti. /Telegrafi/

Lini një koment