117 të vdekur në aksidente
117 persona kanë humbur jetën gjatë vitit 2012 në aksidente komunikacioni, përderisa mbi katër mijë të tjerë kanë marrë lëndime trupore. Në bazë të të dhënave zyrtare të
Policisë, pavarësisht që vërehet një rënie e numrit të aksidenteve në raport me vitin 2011, përsëri gjendja paraqitet tejet shqetësuese.
Gjatë vitit të kaluar në rrugët e Kosovës kanë ndodhur mbi 17 mijë aksidente trafiku, prej të cilave 112 kanë përfunduar me fatalitet, 4 341 me persona të lënduar dhe 13 101 me dëme materiale.
“Në vitin 2012 kemi një ulje të numrit të aksidenteve me pasoja fatale për 12 raste ose 9.67%, duke krahasuar me vitin 2011 dhe uljen e numrit të personave të vdekur me 33 ose 22%”, thonë për Indeksonline, zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Sipas tyre, në kuadër të përmirësimit të sigurisë rrugore është bashkëpunuar me të gjitha institucionet e administratës publike që kanë detyrime ligjore në këtë fushë, me strukturat e qeverisjes vendore, me OJQ-të, e tjera për edukimin e sigurisë në komunikacion.
Gjatë kësaj periudhe janë hartuar gjashtë urdhra operativë dhe 198 plane operative.
Në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm të komunikacionit, e në veçanti ndërtimi i autostradës e cila u inaugurua ditë më parë, Policia e Kosovës përmbushi detyrimin duke formuar dhe vënë në veprim Njësinë për kontrollin e autostradës.
Për Policinë e Trafikut, nuk do të jetë qëllim në vetvete ndëshkimi, por ndërgjegjësimi dhe edukimi, që do të qojnë në respektimin e rregullave të trafikut.
