Xhabir Zharku i uron festën ministrit Rexhepi
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, për festën e Vitit të Ri kishte marrë shumë urime në telefonin e tij.
Por, njëri prej tyre që i shkoi me sms e kishte shqetësuar në atë masë sa që e kishte lajmëruar edhe policinë.
Ky selam i kishte ardhur nga vet ish-kryetari i arratisur i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku.
Burime të sigurta të Indeksonline kanë thënë se këtë urim ministri Rexhepi e kishte pranuar më 31 dhjetor 2012 rreth orës 11:30 minuta.
Ministri Rexhepi, që është edhe njeriu i parë përgjegjës për gjetjen e Zharkut, menjëherë e ka lajmëruar rastin te organet kompetente.
Indeksonline ka kontaktuar përmes telefonit me ministrin Rexhepi, mirëpo i njëjti ka thënë se nuk ka kohë të përgjigjet pasi që ndodhet në një takim.
Hetimet për gjetjen e ish-kryetarit të Kaçanikut po vazhdojnë dhe shumë shpejt nëse i njëjti nuk vetëdorëzohet do të kërkohet nga Interpoli.
Indeksonline kishte raportuar kohë më parë se Xhabir Zharku kishte ikur për në shtetet skandinave përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”. Se i njëjti nuk ndodhet në Kosovë, e ka pohuar edhe ministri Rexhepi.