Kalo te lënda

Shqipëri, rritet ekonomia me 1.6%

f_0107154833108_mPublikimi i të dhënave për Prodhimin e Brendshëm Bruto në fund të javës së shkuar tregoi se ekonomia është përmirësuar gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012, me rritje 2.7 për qind. Këto të dhëna mundësojnë gjithashtu edhe një bilanc të rritjes së ekonomisë për 9 mujorin. Sipas të dhënave të Instat, për 9-mujorin ekonomia shqiptare është rritur me 1.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga rreth 1 për qind që ishte rritja në fund të 6-mujorit. Këto shifra mundësojnë edhe vendosjen në balancë të parashikimeve të ndryshme për rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2012.

Siç ka ndodhur në vitet e shkuara, rritja e deritanishme konfirmon akoma më shumë se parashikimet e institucioneve të huaja po rezultojnë tepër pesimiste, ndërsa ato të qeverisë tepër optimiste. Rritja ekonomike është ndjeshëm më e lartë se prognozat prej 0.5 për qind apo 0.8 për qind të FMN dhe Bankës Botërore, por është sa gjysma se parashikimi më i fundit prej 3 për qind e ministrit shqiptar të Financave.

Ecuria e tremujorit të fundit, duket e vështirë që secili prej këtyre parashikimeve të përmbushet. Kështu, për të arritur një rritje vjetore 3 për qind, do të duhet që ekonomia në tremujorin e fundit 2012 të rritet me më shumë se 7 për qind. Ndërsa për të përmbushur parashikimin prej 0.5 për qind të FMN tremujori i fundit duhet të rezultojë me rënie më shumë se 2.5 për qind.

Ecuria e rritjes ekonomike po i jep më shumë të drejtë parashikimit të mesëm të Bankës së Shqipërisë, që pret një rritje ekonomike vjetore rreth 2 për qind. Për sa i takon sektorëve, performancën më të lartë për 9-mujorin e vitit 2012 e ka shfaqur post-komunikacionet, me një rritje vjetore 10.5 për qind, ndërsa ritme rritjeje më të larat se mesatarja e ekonomisë kanë arritur edhe bujqësia me 5.5 për qind dhe Tregtia me 4 për qind. Sektorët më në vështirësi konfirmohen ndërtimi, me një rënie të prodhimit në masën 17.1 për qind dhe Transporti, me një rënie 10.4 për qind. /Telegrafi/

Lini një koment