Qeveria nuk duhet të ketë plan për negociata rreth veriut
Me afrimin e datës së takimit të katërt ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton në Bruksel, Qeveria e Kosovës mbyllet sa u përket informacioneve lidhur me këtë takim.Një propozim-dokument i Qeverisë për veriun, pritet të prezantohet në takimin e 17 janarit, por një gjë të tillë nuk e konfirmojnë zyrtarët qeveritarë. Ndërsa Shpend Kursani nga Instituti KIPRED thotë plani i vetëm i Qeverisë, duhet të jetë ai për integrimin e pjesës veriore të vendit.
Duke u bazuar në Pakon e Ahtisaarit, Qeveria e Kosovës është në hartim e sipër të një propozim-dokumenti përmes të cilit, Kryeministri Hashim Thaçi do të ofrojë alternativë për zgjidhjen e çështjes së veriut të vendit në takimin e 17 janarit.
Radio Kosova ka kontaktuar zëvendëskryeministrin, Hajredin Kuçi lidhur me këtë çështje, por përgjigja e tij ka qenë e shkurtër. “Nuk kam informata për këtë”, ka shkruar Kuçi në mesazhin telefonik.
Një plan për integrimin e veriut, kohë më parë e ka prezantuar Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED).
Shpend Kursani nga ky institut thotë se plani i vetëm i Qeverisë, duhet të jetë ai për integrimin e pjesës veriore të vendit. “Qeveria nuk duhet të ketë plan për veriun që të negociojë me Serbinë për atë plan, por duhet të ketë plan për integrimin e veriut, e jo plan të cilin duhet ta negociojë me Serbinë”, tha ai për Radio Kosovën.
Gjithsesi, Kursani nuk beson të ketë një plan të tillë. Por nëse do të ekzistonte një i tillë, Kursani thotë ai do duhej të diskutohej me të gjithë faktorët në Kosovë. “Në qoftë se paska plan, fakti që nuk po del në publik ky plan, tregon në vete se është plan problematik dhe me siguri që nuk çon në interesa të shtetit apo të qytetarëve. Unë nuk besoj se ka ndonjë plan, pasi që ai duhet të diskutohet edhe në Kuvend edhe me shoqërinë civile edhe më gjerë”, u shpreh Kursani.
Sidoqoftë, burimet e RTK-së, bëjnë të ditur se një propozim-dokument është duke u hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe se Kryeministri Hashim Thaçi do ta prezantojë në takimin e radhës në Bruksel më 17 janar para baroneshës Catherine Ashton dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq.
Propozim-dokumenti parasheh mbajtjen e zgjedhjeve të lira në tri komunat veriore me shumicë serbe, krijimin e Komunës së Mitrovicës së veriut dhe largimin e strukturave paralele. Por, ky dokument thuhet se nuk do ta tejkalojë Pakon e Ahtisaarit. Në takimin e 17 janarit, është paralajmëruar se do të parashtrohet edhe propozimi i Brukselit për zgjidhjen e veriut, si dhe e ashtuquajtura platformë serbe për Kosovën./standardi.info
Po cka po te vyen plani? Po kush po ta vete planin? Ashtu e keshtu plani po nxjerr pune. Mire e keni hiqe mos u ndalni! Veq perpara hedonizmit!
PëlqejeniPëlqejeni