Kuçi: S’ka projekt-dokument për veriun
Qeveria e Kosovës nuk ka hartuar ndonjë propozim-dokument për veriun për takimin e ardhshëm që pritet të mbahet me 17 janar. Kështu së paku deklaron Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili ka thënë se krejt çka do të prezantohet do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe pakos së presidentit Ahtisaarit.Ndërkohë në lidhje me moslejimin e vizitës së presidentit serb, Tomislav Nikoliqit në Kosovë, ai ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton edhe reciprocitet mes dy vendeve. Mediat në vend kanë raportuar se Qeveria e Kosovës ka hartuar një propozim-dokument për veriun, të cilin do ta prezantoj kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në takimin e 17 janarit.
Por këto i ka hedhur poshtë zëvendëskryeministri, Kuçi i cili ka thënë se Kosova do të ketë për bazë si platformë Kushtetutën dhe dokumentin e Ahtisaarit. “Unë nuk kam informata të sakta për atë që thuani, ajo çka e them se çdo gjë që prezantohet nga Qeveria e Kosovës është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe pakos së presidentit Ahtisaari se edhe ajo pako ka qenë kompromis të gjithë e dimë ne. Dhe ka pasur dy balance të drejt dhe gjeografike të ushtrimit të sovranitetit në tërë territorin e vendit tonë dhe të drejtat etnike që i kemi përafruar të drejtat e serbëve me ato të shqiptarëve. Çdo prishje e këtyre nuk prishet një pjesë, por në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Për më tepër ai ka shtuar se platforma është pakoja e Ahtisaarit dhe zgjidhjet e modulit do të jenë brenda saj. I pyetur rreth deklarimeve të zyrtarëve të Brukselit se takimi i 17 janarit do të nxjerr konkluza të dhimbshme, për Kuçin kjo nuk paraqet problemi. Ai thotë se e dhimbshme do të jetë vetëm për ata që merren me ilegalitet, konkretisht për struktura kriminale dhe struktura ilegale që e sfidojnë sovranitetin e Kosovës.
Ndërkohë në lidhje me atë që Kosova kërkon normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ndërkohë nuk lejon vizitën e presidentit, Nikoliq, zëvendëskryeministri ka thënë se normalizimi nënkupton edhe reciprocitet. “Mu për këtë që kemi telashe me Serbinë po kemi dialog dhe të i normalizojmë këto çështje ne nuk jemi ata të cilët kërkojmë të dominojmë mbi të tjerët, por edhe koha e dominimit të tjerëve ka përfunduar. Normalizimi nënkupton reciprocitet, reciprociteti nënkupton të jemi barabartë. Ne asgjë nuk kërkojmë më shumë vetëm trajtim të barabartë të dy shteteve, dy kombeve dhe reflektimi i raporteve Kosovë-Serbi reflekton edhe në raportet shqiptaro-serbe që ne kemi vullnet, bashkësia ndërkombëtare ka vullnet që të i zgjidhin problemet të i normalizojnë të sjellim paqe për veten dhe të tjerë në rrugën drejt Unionit Evropian”, ka deklaruar ai, raporton Express.
Zëvendëskryeministri ka thënë se Kosova nuk do të ndalet prej rrugës drejt BE, edhe kur të tjerët gabojnë. “Ne nuk do të bëjmë gabime të tilla, gabimi do të durohet deri sa të preket identiteti kombëtar i jonë apo njerëzor”, ka thënë Kuçi./standardi.info