Kalo te lënda

KQZ 4.5 milionë euro për numërim elektronik

f_0108114337766_mKQZ hedh në garë 4.5 milionë euro. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me fondet publike të vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit organizon procedurat prokuruese për përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Teknologjia për zgjedhjet që do zhvillohen në Fier do të kushtojë 1 milionë e 452 mijë euro, ndërsa teknologjia në qarkun e Tiranës është llogaritur paraprakisht nga KQZ-ja rreth 2 milionë e 979 mijë euro.

Në Tiranë do të kryhet leximi elektronik i kartave të identitetit në 1200 qendrat e votimit, ndërsa në Qarkun e Fierit do të zhvillohet numërimi elektronik i votave.

KQZ-ja njoftoi dje nisjen e procedurave për shpalljen tenderit për të gjitha kompanitë e interesuara që do të bëjnë aplikimet e tyre për projektin e qeverisë për përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kështu, me datë 17 janar KQZ-ja do të bëjë shqyrtimin e të gjitha kompanive të interesuara për projektin e parë, që ka të bëjë me realizimin e sistemit elektronik për numërimin e votave (SEN) në Qarkun e Fierit.

Ndërsa, më datën 22 janar, KQZ-ja njofton se do të shqyrtojë të gjitha kërkesat për projektin e dytë, që ka të bëjë me “Realizimin e sistemit elektronik për verifikimin dhe regjistrimin e zgjedhësve (SEV), në Qarkun e Tiranës” për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23 Qershor 2013”, thuhet në njoftimin e djeshëm të institucionit më të lartë zgjedhor në vend. /Telegrafi/

Lini një koment