Kontestohet Projektligji për përgjime
Qeveria e Kosovës ka dërguar projektligjin për përgjime në Kuvendin e Kosovës dhe ai pritet të del në lexim të parë më 24 janar. Ekspertë juridikë dhe Lëvizja Vetëvendosje kundërshtojnë përmbajtjen e projektligjit pasi që, sipas tyre, nuk bëhet ndarje e përgjimeve për nevoja të gjyqësorit dhe të inteligjencës. EULEX ka kërkuar që ligji të jetë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Qeveria e Kosovës ka dërguar projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve në Kuvendin e Kosovës më 17 dhjetor 2012, por festat e fundvitit kishin penguar procedimin e tij në leximin e parë.
Për raportimin në lidhje me këtë ligj është ngarkuar Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri. Nënkryetari i këtij komisioni, Rexhep Selimi, tha se “për shkak të pushimeve të fundvitit është shtyrë procedimi në kuvend i këtij ligji”.
Tash projektligji pritet që të diskutohet në seancën e parë parlamentare të caktuar më 24 janar 2012 – nëse aprovohet nga Kryesia e Kuvendit.
Selimi tha se grupi parlamentar i Vetëvendosjes! do të kundërshtojë përmbajtjen e këtij projektligji dhe se pret mbështetje edhe nga deputetët tjerë. “Pres që ky ligj të kundërshtohet nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës për shkak se është një ligj jo i mirëfilltë”, tha deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.
Sipas Selimit, “ky projektligj centralizon përgjimin e komunikimit nga ana e AKI-së, pastaj i jep kompetenca AKI-së për përgjime dhe e minimizon rolin e gjykatave dhe prokurorive”.
Projektligji është kundërshtuar edhe nga ekspertë juridikë pasi që konsiderohet se me këtë ligj nuk bëhet ndarja e përgjimeve për nevoja gjyqësore dhe për inteligjencë.
Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, kishte deklaruar për “Jeta në Kosovë” se Projektligji për Përgjimet nuk jep sqarime të qarta lidhur me kompetencat e Gjyqësorit për të urdhëruar përgjimet.
Ai kishte kundërshtuar ndër të tjera edhe nenin 4 sipas së cilit punonjësi i “Qendrës Administrative Elektronike” mundëson përgjimin pas marrjes së “urdhrit të ligjshëm nga institucionet e autorizuara me ligj”.
Sipas tij, projektligjit i mungon specifikimi i qartë se institucioneve që janë të autorizuara iu duhet një urdhër nga Gjykata për t’i bërë përgjimet.
“Unë nuk dua të besoj që ky draft do të kalojë komplet pa vërejtje, në rast se gjykata anashkalohet kështu”.
Kolë Krasniqi, ekspert i sigurisë, i cili kishte qenë pjesë e grupit punues për hartimin e këtij projektligji kishte për Gazetën Jeta në Kosovë se “duhet të ketë ndarje jo vetëm të përgjegjësive por edhe ndarje fizike mes objekteve që bëjnë përgjimin për nevoja gjyqësore dhe përgjimin për nevoja të inteligjencës”.
Në anën tjetër, EULEX ka kërkuar që projektligji të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Është me rëndësi që Kosova të ketë ligjin për përgjimet telefonike, por është gjithashtu e rëndësishme që ky ligj të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira. Një ndër parimet kryesore të të gjitha shoqërive moderne dhe demokratike është ndarja e qartë dhe praktike e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor”, kishte deklaruar Bardha Azari, zyrtare informimi në EULEX.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, njëherësh kryetar i Komisionit për Legjislacion, nuk komentoi të martën projektligjin për përgjime pasi që, tha ai, ende nuk është i njoftuar me përmbajtjen e tij.
Sipas Gashit, me këtë ligj është dashur të merrej Komisioni për Legjislacion dhe jo komisionet tjera.
Në fillim të dhjetorit Qeveria e Kosovës ka sponsorizuar projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve. Ky ligj i jep autorizim të plotë Agjensionit Kosovar të Inteligjencës që të administrojë të gjitha përgjimet. /Telegrafi/