Herët të them se do të jem ‘ambasador’ në Kosovë
Takimi i datës 4 dhjetor ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, kishte nxjerrë edhe një dakordim në mes dy palëve.
Të dyja palët ishin pajtuar që në dy vendet të hapen zyrat ndërlidhëse në Prishtinë e Beograd.
Po ashtu, të dy kryeministrat kishin rënë dakord të caktojnë nga një oficer ndërlidhës. Për të filluar me këtë, delegacioni i BE-së në Beograd dhe Zyra e BE-së në Prishtinë do të sigurojë zyra ndërlidhëse për oficerët ndërlidhës.
Edhe pse janë përfolur shumë emra, Qeveria e Kosovës nuk ka caktuar ende ndonjë kandidatë të tillë, por as ajo e Serbisë.
Autoritetet serbe janë duke shqyrtuar dy propozime për përfaqësuesin e tyre në Prishtinë
Nga Serbia flitet për emrat e ish- sekretarit të Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq dhe zëdhënësi i saj, Milivoje Mihajloviq.
Por, këtë nuk e ka konfirmuar i përfoluri për këtë pozitë, Oliver Ivanoviq. Ai për ORAinfo nuk ka dashur ta konfirmojë se a është kandidatë i mundshëm që të udhëheqë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë. Ai ka thënë se ky është vendim vetëm i Qeverisë së Serbisë.
“Janë duke biseduar me shumë kandidatë, nuk e di se sa, mirëpo ajo nuk është e mjaftueshme që me u deklaruar tash edhe me thanë që kush ka me e përfaqësu. Do të bisedojnë me shumë kandidatë dhe pastaj do të vendosin se kush do të përfaqësojë Serbinë në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë”, ka thënë Ivanoviq.
Ivanoviq, po ashtu është treguar i rezervuar, se a do ta pranonte një post të tillë nëse do t’i ofrohej.
“Po ashtu edhe për këtë nuk mund të deklarohem. Nuk mundem të konfirmoj asgjë. Por, varet edhe prej detyrave, sepse unë nuk mund të kuptoj vetëm përmes medieve detyrat e atij personi. Sepse këtu nuk do të jetë puna e njëjtë sikur e një ambasadori, pasi që Serbia nuk do të pranojë të ketë ambasador në Prishtinë. Kështu që do të presim deri sa Qeveria e Serbisë të vendosë”, ka thënë Ivanoviq.
Marrëveshja për shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës mes Prishtinës dhe Beogradit pritet të fillojë të zbatohet brenda këtij viti./Dukagjini.com