151 vjedhje për një javë në Prishtinë
J
ava e parë e janarit të këtij viti, ka qenë e mbushur me vjedhje. Vetëm në rajonin e Prishtinës, për një javë kanë ndodhur 151 raste të vjedhjeve, shifër kjo tejet shqetësuese për shoqërinë dhe organet e rendit.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë thënë për Indeksonline se, nga data 1 deri me 8 janar, në rajonin e Prishtinës janë lajmëruar 151 vjedhje për të cilat janë arrestuar disa hajdutë.
“Në këtë fillim vit vërehet një rritje e rasteve të vjedhjeve, mirëpo policia me kapacitetet saj po mundohet të gjejë dhe të arrestoi kryesit e kësaj vepre. Për një javë kemi arrestuar 28 persona për raste të ndryshme të veprave penale dhe disa raste të vjedhjeve janë në zbulim e sipër”, ka thënë Policia Rajonale e Prishtinës
Rastet e shpeshta të vjedhjeve kanë ngjallur frikë edhe të qytetarët.
“Ishim në katin e parë të shtëpisë duke ndenjur dhe kur kemi shkuar lart për të fjetur kemi parë se në shtëpi kanë hyrë hajnat. Ata kishin demoluar të gjitha mobilet dhe me vete kishin marrë rreth 500 euro dhe një sasi e konsiderueshme e arit”, thotë M.K, viktimë e hajnave në Prishtinë.
Ai tha se menjëherë e ka lajmëruar policinë të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar hetimin e rastit. Sipas viktimës, tani të anëtarët e familjes së tij është krijuar frikë.
Të dhënat zyrtare të policisë së Kosovës flasin për një rritje të ndjeshme të vjedhjeve. Vetëm gjatë vitit 2012 në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 6185 raste te vjedhjeve./Valdrin Krasniqi