Vizitat e zyrtarëve serb nuk duhet lejuar
Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka thënë për Radio Dukagjinin se vizitat e zyrtarëve të shtetit serb në Kosovë nuk duhet lejuar më, për faktin se ata në deklaratat e tyre nuk po respektojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“ Në këtë rrafsh nuk do të duhej të tolerohej më, për faktin se politika serbe e Beogradit nuk është duke e respektuar sovranitetin që e ka Republika e Kosovës”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.
Shefi i zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë Aleksandër Vullin, gjatë natës së mbrëmshme, ka festuar Kërshëndellat ortodokse, në familjen e Radisha Peshiqit në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës.
“Kam ardhur në ‘Lagjen e boshnjakëve’, në vendin që ka shumë pasiguri dhe dhunë, tek ata që mendojnë se shteti i Serbisë këtu duhet të ekzistojë” ka thënë Aleksandër Vulin dhe ai ka kërkuar nga serbët të lindin fëmijë më shumë, sepse shtetësia e Serbisë në Kosovë varet nga lindja e fëmijëve, ka thënë ai. Ndërkohë sot Vullin ka qëndruar në manastirin e Graçanicës.