Shet gjak për të blerë miell!
“Nuk ka qenë e rëndësishme të mendosh për veten, ka qenë e nevojshme dhe obligative t’i përgjigjesh thirrjes për rezistencë dhe përpjekjes për liri nga UÇK-ja” kështu e nis rrëfimin e tij Jakup Rexhepi, një ish-ushtar i UÇK-së në zonën e Koshares.Jakupi është njëri nga shumë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftës iu bashkëngjit me një qëllim të cilin e thotë se ishte betimi mbi flamur dhe vetëm çfarë thotë betimi. Ai mendon që nuk ka pas shpërblim më të madh për të se sa çlirimi i Kosovës nga regjimi serb në vitin 1999. Momentet personale dhe të bashkëluftëtarëve të tij janë të idealit dhe sakrificës. Për të asnjëherë nuk është shtruar si çështje njohja e kontributit personal, por, vlerësimi i sakrificës, vlerësimi i mundit, që tash e 13 vite nuk është njohur.
Jakupi është 49 vjeçar, ka një familje të shëndoshë me të cilën është i kënaqur. Ai e ka të mbaruar shkollën e lartë të elektroteknikës në vitin 1989. Jakupi jeton së bashku me gruan dhe i ka 6 fëmijë, nga mosha 6 vjeçare deri në atë 17 vjeçare. Banimi i tij karakterizohet në një shtëpi dykatëshe, të lënë nga babai i tij e ndërtuar para 50 viteve, ku kati i parë është i pabanuar për shkak që kur bie shi pikon. Ai punon në një dyqan në fshatin e tij, Koshare të Komunës së Ferizajt. Paga e tij mujore është 80 euro.
Sot, pas 13 vite të përfundimit të luftës ai është i pakënaqur me gjithë gjendjen politike, ekonomike e sociale. Jakupi është njëri nga qytetarët që shpreh indinjatën për qeverinë aktuale si dhe mbijetesën e vështirë që e kalon ai me familjen e tij. Ky njeri, veteran i UÇK-së ka qenë i detyruar që 6 herë nga 200 mili litra gjak t’i shes, vetëm e vetëm t’iu siguroj miell për bukë fëmijëve. Për të është e rëndësishme më shumë jeta e fëmijëve se sa e tij. “Për mua fëmijët e mi janë jetë, më duhet t’i shkolloj dhe të bëhen të aftë për vetveten e tyre” thotë Jakupi.
Ai thotë që ushqimin nuk e ka të mirë për shkak që nuk është kalorik. Ai është i indinjuar që ka shkuar kohë e gjatë deri në miratimin e Ligjit mbi veteranët. Është dashur kohë e gjatë që kujdesi të vendoset ashtu siç e kanë shumë vende të tjera.
Ai thotë se gjatë luftës flitej shumë për të drejtat e njeriut nga udhëheqësit në luftë, ndërsa tash ata po edhe të tjerët janë shkelësit më të mëdhenj. “Ata janë bërë milionerë, ndërsa pjesa tjetër nuk ka bukë për fëmijët e vet.” Jakupi përmend disa nga rastet kur punët e shtëpisë e të familjes i ka pasur ngushtë, e i është dashur të shesë gjakun e tij. “Prej mbarimit të luftës, gjashtë herë kam shitur gjakun, për të blerë gjëra ushqimore për familjen, kam nevojë ta bëj edhe tani, por, tanimë me shëndet nuk jam mirë”. Çmimet janë shumë të larta të ushqimit në krahasim me të ardhurat në Kosovë.