Konjufca: Serbia dhe korrupsioni dy problemet më të mëdha
Fqinji problematik Serbia dhe korrupsioni janë dy problemet më të mëdha politike të Kosovës aktuale, ka thënë të dielen mbrëma Glauk Konjufca, nënkryetar i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në një tubim në Bellanicë të Malishevës.
“E kemi një Serbi shumë problematike, që gjithmonë mendon me u zgjeru në kurriz të shqiptarëve, po e shihni tash çka po bënë në veri të Kosovës, pak ju ka dukë që na ka shpërngulë prej Toplicës, pak i duket ajo që ua bënë sot shqiptarëve të Luginës së Preshevës por po don me hy thellë në Kosovë”, është shprehur ai në një odë të fshatit ku tubimi ishte thirrur në kuadër të themelimit të një pike të re të Lëvizjes Vetëvendosje. “Tash me platformën e re për Kosovën po don hala më shumë se sa veriun dhe këto komuna që ia kemi dhënë me Planin e Ahtisarit”, ka shtuar Konjufca.
“Pra kemi të bëjmë me një Serbi që s’ngihet kurrë, në kurriz të shqiptarëve dhe qëllimi i saj i fundit është me e pastru Kosovën prej shqiptarëve dhe mandej rendin e ka Shqipëria, pasi gjithnjë në histori kur Serbia e ka pushtu Kosovën e ka këqyrë Durrësin”, është shprehur ai duke bërë thirrje për kundërvënie ndaj Serbisë si një komb.
“Problemi i korrupsionit ndërkaq është problem i brendshëm, problem me vëllezërit tanë”, ka tërhequr vërejtjen deputeti i Vetëvendosjes. “Duke mos u kontrolluar elita politike nga askush, duke mos pas drejtësi në këtë vend, këtu është krijuar një grupacion shumë i fuqishëm politik i njerëzve të cilët kanë bërë shumë para, kanë bërë miliona brenda natës”, ka spikatur ai.
“Nuk është pahiri që popujt tjerë të zhvilluar si amerikanët, gjermanët e të tjerë nuk e lejojnë në funksion një politikan të vetin
që e vjedhë një cent, sepse ai që e vjedhë një cent nuk ndalet me aq, nuk ka kufi”, është shprehur Konjufca. I rëndësishëm sipas tij është sistemi i drejtë në një shoqëri “në të kundërtën në një shoqëri pa rend e ligj të gjithë popujt janë të njëjtë”.
“Tek ne po mungon ligji, rendi, tek ne e ka rrok e mbrapshta, qeveritarët bëjnë çka të duan e drejtësi nuk ka fare, gjyqtarët i kërcënojnë, lëndët janë grumbullu dhe politikanët tanë janë bërë njerëzit më të pasur e disa prej tyre as 100 marka në gjep nuk i kanë pasë pas luftës”, ka përshkruar Glauk Konjufca i ulur këmbëkryq përballë të tubuarëve. “Pa e zgjidhë problemin me fqinjin tonë problematik Serbinë dhe me korrupsionin s’kemi me pas rehati”, ka tërhequr vëmendjen ai./Indeksonline