Kalo te lënda

Komuna lejon fabrikën duke injoruar nivelin qendror

f_0106232201735_mGjakova kishte bllokuar më 7 dhjetor të 2012-ës inaugurimin e “Qendrës Inovative”, një projekt i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për mbështetje të zhvillimit në këtë qytet, me arsyetimin se nuk kishte marrë leje prej komunës. Por, kjo komunë, në krye me Pal Lekajn, ka organizuar inaugurimin e një fabrike në më pak se dy javë që atëherë, më 19 dhjetor, pa leje prej të paktën katër institucioneve të nivelit qendror – të obliguara me ligj.

Në vënien e gurthemelit pati marrë pjesë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Megjithatë, një seri problemesh ligjore në lidhje me fillimin e punës së fabrikës dalin në shesh, ka zbuluar “Gazeta Jeta në Kosovë”, qëkur marrëveshja ishte nënshkruar mes kryetarit Pal Lekaj dhe afaristit Vegim Krasniqi më 5 qershor 2012.

Marrëveshja kërkonte fillimin e zbatimit të saj brenda dy javëve, por vetëm më 12 dhjetor komuna i kishte ndarë kompanisë “TCG Green Energy” – përmes votimit në asamblenë komunale – sipërfaqen prej tre hektarësh të pronës komunale.

Vendimi, megjithatë, nuk ishte nxjerrë konform ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Kompensim të Pronës Komunale, për së paku një pjesë të parcelave të ndara. Për këtë, më 27 dhjetor, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, i shkruan drejtuesve gjakovarë. Ai kërkon që komuna ta rishqyrtojë vendimin brenda 30 ditësh. Sipas ministrit, po ashtu, në përgjithësi procedurat kanë qenë jo transparente.

Kur asambleja komunale kishte votuar më 12 dhjetor për ndarjen e pronës, në fuqi ishte ligji nr. 03/l-226 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Në nenin 5, pika 3 të tij, thuhet: “Kuvendi i Komunës ka të drejtë të japë në shfrytëzim pronën e paluajtshme në afat më të gjatë së dhjetë (10) vjet por jo më shumë së dyzet (40) vjet pas plotësimit të kritereve të përcaktuara më ligjin për prokurimit dhe pas dhënies së pëlqimit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe pëlqimit paraprak nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e tregtisë dhe Industrisë”.

Pesë ditë pasi u votua në asamble ndarja e kësaj prone, më 17 dhjetor, ligji që e ka rregulluar këtë fushë është shfuqizuar dhe ka hyrë në fuqi ligji nr. 04/l-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës me të cilin komuna ka të drejtë t’i japë në shfrytëzim pronat deri në 99 vjet.

Bashkëpronari i kompanisë “TCG Green Energy”, Vegim Krasniqi, thotë se nisja e punimeve është lënë për këtë kohë që të përkojë me ligjin e ri.

“Tash kemi të drejtë të shfrytëzimit deri në 99 vjet”, thotë Krasniqi.

Kryetari Pal Lekaj ndërkohë vënien e gurthemelit vetëm dy ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri e lidh me rrethana krejt tjera.

“Investitori ka kërkuar që të vihet gurthemeli para Krishtlindjeve. Ne iu kemi përshtatur se s’kemi dashur ta humbim si investim, sepse është investim i madh për komunën tonë”, tha ai.

Por, se sa do të përfitojë komuna dhe a do të ketë përqindje në kompani, Lekaj nuk tregon.

“Këto do të parashihen në kontratë. Deri tash kemi vetëm marrëveshje”, tha ai.

Në dokumentin tri-faqesh të marrëveshjes midis Lekajt dhe kompanisë nuk është e paraparë që komuna të ketë përqindje.

Këshilltari komunal, Shpëtim Rudi nga Aleanca Kosova e Re, thotë se në mbledhjen e jashtëzakonshme për të nxjerrë vendimin, e gjithë procedura ka qenë e përshpejtuar dhe këshilltarët nuk kanë ditur asgjë përpos emrit të kompanisë dhe shifrës së investimit.

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor pohon se kompania dhe komuna nuk i kanë nxjerrë disa nga dokumentet e nevojshme që ky projekt të mund të zbatohet. Pa i kompletuar këto dokumente, kjo ministri nuk e konsideron legale punën në projektin e mbeturinave dhe energjisë.

“Për më shumë, kompania nuk ka dorëzuar kurrfarë aplikacioni të nevojshëm për fillimin e punës për ndërtimin e termocentralit, përfshirë këtu pëlqimin mjedisor, lejen ujore apo lejen e ndërtimit, siç parashihet me legjislacionin në fuqi”, thotë zëdhënësja, Gëzime Hasani.

Sipas përgjigjeve të kësaj ministrie, është anashkaluar edhe ligji për ndërtim.

Edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë e kishte konsideruar të paligjshme nisjen e punimeve pa marrë lejen paraprakisht në këtë institucion.

“E di që ka shumë dokumentacione për t’i kompletuar, por ne do t’i marrim të gjitha më radhë”, thotë përfaqësuesi i kompanisë, Vegim Krasniqi. Të njëjtën përgjigje e ka dhënë edhe kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj.

Ministrisë së Tregtisë së cilës ia kishte ndalur punimet për shkak të mungesës së lejes komunale, tash komuna nuk i ka kërkuar pëlqim – siç ishte e obliguar me ligj – për kohën e shfrytëzimit të pronës.

“Sipas nenit 5 të Ligjit Nr. 03/L-226, komuna është e detyruar të kërkojë leje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Financave dhe pëlqimin paraprak nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka shpjeguar ministrja Mimoza Kusari – Lila.

Sipas planit të saj, kompania TCG do të shpenzojë 500 tonë mbeturina në ditë dhe prej tyre do të prodhojë 24 megavatë energji për orë. Punën do ta nis 18 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me Komunën dhe do të punësojë më së paku 199 veta dhe më së shumti 380. Planifikohet investimi i 143 milionë dollarëve amerikanë.

Kompania “TCG Green Energy” ndërkaq ka bërë marrëveshje me “Synergy Energetics” për gjetjen e mjeteve. Që të dyja prezantohen nga komuna si kompani amerikane. E para është e regjistruar edhe në MTI me pronarë Vegim Krasniqin dhe Robert Istvan Hargitain. /Telegrafi/

Lini një koment