Kalo te lënda

Koalicion PDK – AAK s’ka deri në shkurt

f1_swqw1357562688Prishtinë, 7 janar – Koalicioni i shumëpërfolur ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund të “kurorëzohet” pas zgjedhjeve të brendshme të PDK-së.

Pavarësisht deklaratave të mëhershme të liderit të Aleancës, Ramush Haradinaj, se pas festave të fundvitit do të konkretizohet koalicioni me PDK-në, kjo çështje duket se është e pamundur të paktën deri në fund të janarit apo në fillim të shkurtit.

Të paktën kështu shpresojnë zyrtarët e AAK-së, të cilët janë të gatshëm të hyjnë në bashkëqeverisje. Ata po ashtu nuk e ka ndërruar mendimin, se koalicioni i ri do të duhej të nxjerrë qeverinë Haradinaj, shkruan “Zëri”.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar mesazhe ditë më parë AAK-së dhe Haradinajt, se oferta e PDK-së do të publikohet pas zgjedhjeve të brendshme në këtë parti politike.

Në deklarimet e mëhershme, kryeministri Thaçi kishte mbrojtur edhe partinë partnere të koalicionit, Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli, duke thënë se nuk ka nevojë për koalicion të ri dhe se koalicioni aktual vetëm mund të zgjerohet me ndonjë subjekt tjetër.

Analistët politikë konsiderojnë se nuk do të ketë koalicion PDK-AAK. Me këtë ide të koalicionit, kryeministri ka nxjerr një “time-out” nga Haradinaj, duke e zhvendos vëmendjen nga aferat qeveritare.

Nga ana tjetër, Ernest Luma nga AAK-ja, ka thënë se gjendja është ashtu sikur edhe para ndërrimit të motmotit, porse AAK-ja është duke pritur përfundimin e zgjedhjeve të brendshme në PDK e që më pas të zyrtarizohet koalicioni PDK-AAK.

Sipas tij, pas kësaj nëse arrihet koalicioni, Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër pasi që kjo është oferta e AAK-së dhe më pas bëhet ndarja e dikastereve për bashkëqeverisje mes dy subjekteve.

Nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa-Remi, ka thënë se nuk ka asgjë të re sa i përket koalicionit. “Jo nuk ka zhvillime të reja”, ka thënë shkurt Mustafa.

Lini një koment