Kalo te lënda

Këshilli i Hoçës së Madhe në pikëpyetje

smajl-latifiKuvendi Komunal i Rahovecit pritet që në seancën e ardhshme të shqyrtojë propozimin për formimin e Këshillit të fshatit Hoçë e Madhe, por kryetari Smajl Latifi nuk beson se këshilltarët komunalë do ta mbështesin këtë akt, ashtu siç këmbëngulin përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe qeveritarë të vendit. Në një prononcim për Telegrafin, Latifi ka thënë se ua ka bërë të qartë ‘lobuesve’ të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe të Hoçës së Madhe se kanë shumë kundërshtarë.

Latifi ka shpjeguar se i ka njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë se këmbëngulja për të zbatuar shpejt këtë ligj mund të ketë kundër efekte.

“Çdo ligj duhet zbatuar, por në Kosovë ka shumë ligje që nuk zbatohen. Edhe në rastin konkret, ne kemi marrë afër 10 mijë nënshkrime të qytetarëve, të cilët kundërshtojnë implementimin e këtij ligji. Në këtë situatë, ne mendojmë se duhet që të mos ngutemi dhe të ketë më shumë kohë”, ka thënë Latifi.

Miratimi i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe të Hoçës së Madhe është shoqëruar me kundërshtime të mëdha nga ana e disa zyrtarëve qeveritarë të Kosovës, organizatave joqeveritare dhe qytetarëve.

Kundërshtime patën shfaqur edhe disa anëtarë të komisioneve të Kuvendit të Kosovës, por edhe mbi deputetët ishte ushtruar presion nga ana e përfaqësuesve të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe nga Qeveria e Kosovës, krerët e të cilëve patëm marrë pjesë edhe në mbledhjet vendimtare të komisioneve kur kishte kaluar projektligji.

Ky ligj u përpilua në bazë të Planit të Ahtisaarit, ndërsa kritikuesit theksojnë se ai në fakt u jep shumë të drejta pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse.

Lini një koment