Berisha uron: Fitore PD në 2013
Seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2012 është shoqëruar me debate dhe akuza të forta mes mazhorancës dhe opozitës sa i takon arritjeve dhe dështimeve të të dyja palëve gjatë këtij harku kohor.
Kryeministri i vendit Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruci janë përfshirë në debate dhe akuza të ndërsjellta sa i takon refuzimit për të tretën herë të marrjes së statusit të vendit kandidat për ne BË. Shefi i qeverisë akuzoi opozitës për mungesë vullneti dhe bllokim të qëllimshëm të reformave që do i hapnin rrugë vendit për në familjen e madhe evropiane, ndërkohë numri dy i opozitës akuzoi kryeministrin se refuzimi ndodhi për shkak të politikës së gabuar të qeverisë ‘Berisha”, raporton Balkanweb.
Debatet kanë qenë të ndërsjella, ku nuk kanë munguar dhe deklarata mbi zgjedhjet e vitit 2013, për të cilat Berisha shprehu besimin se do fitohen nga Partia Demokratike. PDIU kërkoi nëpërmjet deputetit te saj Dashamir Tahiri futjen e Rezolutes Came, në kalendarin e Parlamentit.
Seanca e fundit e Kuvendit është mbyllur me thirrjen që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i bëri ligjvënësve për miratimin e 3 kërkesave të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, por projektligjet e përfshira në rendin e ditës së Kuvendit që prej 10 tetorit, nuk kanë gjetur konsensusin e opozitës. Ndërkohë, janë votuar të gjithë projektligjet e parashikuara në rendi ne ditës.