Aleksandër Vulin dëbohet nga Kosova
Aleksander Vullin, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është larguar pa dëshirën e tij nga Kosova sot pas orës 14:00. Vullin, para largimit të tij, ka pritur për tri orë të tëra në Manastirin e Graçanicës për tu liruar 10 serbët që janë arrestuar në Graçanicë, të cilët i ishin bashkëngjitur eskortës së tij nga veriu i Mitrovicës , por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ani pse Vullin nuk ka dashur të largohen nga Kosova pa u liruar 10 serbët e arrestuar.Gjatë këtyre tri orëve, ai ka mbajtur takim me Përfaqësuesin e BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar. Ky i fundit, sipas Vullin, gjatë tri orëve vetëm i ka thënë se “ata do të lirohen”, “do të lirohen shpejtë, por janë çështje procedurale”.
Mirëpo, pas tri orë pritjesh në Manastir, ai është nisur në këmbë për në Stacionin Policor të Graçanicës, me qëllim të “intervenimit” për lirimin e serbëve të arrestuar, por rreth 30 metra në afërsi të Stacionit Policor, teksa shoqërohej nga eskorta e tij me policë të EULEX-it, ai është ndaluar nga një patrullë e Policisë së Kosovës, të cilët ia kanë bërë me dije Vullinit që të niset për në pikën kufitare të Jarinjes.
Kjo për faktin se leja që Vullin kishte marrë për të hyrë në Kosovë, për të festuar Krishtlindjet Ortodokse serbe, kishte qenë vetëm deri në orën 14 të ditës së sotme.
Ai, për disa minuta ka diskutuar me policin që e ka ndaluar, duke thënë se “kjo nuk është drejtësi”, por që përfundimisht, ai ka hipur në veturën e tij duke lënë 10 serbët e arrestuar në Stacionin Policor të Graçanicës.
Nëntë nga serbët e arrestuar paraditen e së hënës, janë nga veriu i Kosovës, ndërsa njëri prej tyre është qytetar i Graçanicës. Ata janë arrestuar nga Policia e Kosovës teksa po shoqëronin eskortën e Alleksandër Vullinit, i cili për të hyrë në Kosovë, ka marrë leje nga Qeveria e Kosovës përmes institucioneve ndërkombëtare, njofton Zeri.
Në një prononcim për mediat serbe, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se serbët e arrestuar “kishin simbole të Mbrojtjes Civile Serbe”./standardi.info