300 banesa kolektive janë bërë pa leje ndërtimi
Njohësit e rrethanave urbane në Pejë kanë thënë se në këtë qytet dhe përreth tij janë të ndërtuara pa leje ndërtimi rreth 300 objekte kolektive. Këtë dyshim e ka shpërfaqur edhe kreu i LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri.
Ndërtimet e larta që kanë tejkaluar planet rregulluese urbane në vitet e fundit ende kanë mbetur pa u legalizuar, shkaku i mosplotësimit në tërësi të kushteve të parashtruara nga komuna.
Ndonëse jo me ndonjë vendim të KK-së, komuna ka kërkuar që objektet banesore të krijojnë 50 për qind të hapësirës tokësore aq sa është edhe ndërtimi i lartë për t’i legalizuar.
Ndërsa, për disa ndërtime që kanë shëmtuar zona në afërsi të qendrës së qytetit, inspektorati komunal ka qenë i pafuqishëm të ndërmarrë hapa konkretë dhe ka kërkuar ndihmën e organeve të drejtësisë, që me ndonjë vendim gjyqësor t’i hapë rrugë për veprime të mëtutjeshme.
Të fuqishmit e ndërtimeve në Pejë, kompania “Dukagjini”, “Molika Company”, “Deli Lekaj”, “Xhihad Deçani” etj, kanë shkelur planin rregullues urban duke tejkaluar numrin e kateve të banesave të lejuara nga komuna. Besohet se janë ndërtuar rreth 300 banesa më tepër se sa parashihen në këto plane rregulluese, shkruan “Koha Ditore”.
Ndërtimet në lagjen “Puhovc”, “Kapeshnicë ” dhe “Sahatkullë” janë afër plotësimit të kushteve për krijimin e hapësirave të kërkuara konform planit rregullues, por ende nuk ka legalizime. E, ndërtimet në “ Jarinë”, te “Ura e Gurit ”, dhe disa lokacione të tjera ende gjenden në fazën e ndërtimeve, janë pa këto hapësira.