Kalo te lënda

Të shtëna armësh në veri të Mitrovicës

mitrovica2_658097-400x270Të shtënat me armë zjarri në veri të Mitrovicës gjatë natës së mbrëmshme, por edhe gjatë ditës se sotme, për shkak të Krishtlindjeve ortodokse, kanë shqetësuar tej mase banorët shqiptarë dhe ata jo serbë në këtë pjesë të qytetit.

Ata kërkojnë nga strukturat e sigurisë të jenë të vëmendshme këto ditë dhe të shtojnë praninë e tyre në veri, për të parandaluar tensionet e mundshme.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka konfirmuar për Kosovapress të shtënat me armë zjarri, por edhe zhurmën e mjeteve të ndryshme piroteknike.

“Të shtënat me armë të cilat janë dëgjuar mbrëmë në veri, e që jemi të vetëdijshëm se pritet të ndodhin edhe gjatë natës së sotme me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse, nuk janë të drejtuara ndaj individëve apo objekteve. Policia ka hartuar planin operativ ngjashëm me atë të natës së Vitit të Ri, dhe do të shtojë prezencën e saj në veri, veçanërisht nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier, për evitimin e ndonjë incidenti të mundshëm”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, autoritetet komunale kanë sugjeruar qytetarët në atë pjesë të qytetit të jenë gjakftohtë dhe syçelë për të mos lejuar provokimet e mundshme.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Behxhet Bala, tha se duke pasur parasysh qasjen e strukturave ilegale dhe grupeve kriminale serbe në veri, strukturat e sigurisë duhet të marrin masa dhe të mos lejojnë eskalimin e situatës.

“Institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë duhet të veprojnë me kohë për të parandaluar incidentet e mundshme që mund të ndikojnë në gjendjen e përgjithshme të sigurisë”, ka thënë për Kosovapress Bala.

Lini një koment