Kalo te lënda

Shkëmbimi tregtar Kosovë-Shqipëri, zhgënjyes

403x30243394maunat_107587_thumb_largeMarrëdhëniet tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe gjatë vitit 2012 kanë qenë larg asaj çfarë duhet të jenë. Njohësit e çështjeve ekonomike pohojnë se marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë zhgënjyese.
Ndërsa ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari Lila, pohon për Kosovapress, se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë shfrytëzuar aq sa ka hapësirë dhe kapacitet, mirëpo ekziston vullnet i dyanshëm, që të tejkalohen diferencat, në mënyrë që të jemi më afër dhe që të ketë unifikim të politikave.
Kusari pohoi po ashtu se me aktivitete konkrete, duhet të bëhen angazhime të përbashkëta dhe në promovimin e investimeve. Sipas saj, ka mundësi që brenda dy shteteve, të kemi procedura më tepër të unifikuara, në mënyrë që bizneset nga Kosova të kenë me lehtë të bëjnë biznes në Shqipëri dhe anasjelltas.
“Mendoj që nuk janë të shfrytëzuara aq sa ka hapësirë dhe kapacitet. Konsideroj që të dy vendet, kanë mundësi bashkëpunimit më të madh. Por gjithashtu që të dy vendet duhet të ngritin kapacitete e tyre prodhuese, në mënyrë që të ketë shkëmbime dhe më të mëdha tregtare. Edhe Kosova edhe Shqipëria kanë hapësirë për të përmirësuar. Natyrisht Kosova më shumë se sa Shqipëria, për shkak se jemi ende më pak investime, me prodhim industrial në Kosovë, por që të dy vendet ballafaqohen me sfidat e tyre. Sfidat që e kanë përcjellë vitin 2012 kanë qenë sfida e problemeve kapaciteteve industriale, që në këtë rast në Kosovë, ka treguar domosdoshmërinë e marrjes së masave mbrojtëse në industrinë e çimentos”, pohoi Kusari.
Ndërsa, Ibrahim Rexhepi, drejtor në Qendrën për hulumtime strategjike dhe sociale thotë se marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë, vazhdojnë të jenë zhgënjyese dhe se shumë projekte për të cilat ka pasur premtime të mëdha, kanë mbetur vetëm në nivel të premtimeve elektorale.
“Ne kemi bërë një hulumtim rreth raporteve ekonomike Kosovë Shqipëri dhe vërtetë konkludimet dhe gjetjet në atë raport janë zhgënjyese. Për shkak se raportet Kosovë-Shqipëri ende janë në nivelin shumë të ultë, në nivelin e këmbimeve të thjeshta tregtare. Me një strukturë shumë të pavolitshme të eksporteve dhe importeve, ku dominon hekuri, qoftë mbeturinë dhe ajo strukturë nuk po ndryshon, ka 10 vite. Çka do të thotë se është problem i zhvillimit qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri. Ka pasur shumë premtime dhe fjalë të mëdha rreth projekteve të ndryshme, pos autostradës asnjë projekt tjetër nuk ka lëvizur nga vendi”, tha ai.
Shqetësuese sipas tij mbetet ajo që Kosova dhe Shqipëria ende nuk kanë arritur marrëveshje, apo nuk e kanë dokumentacionin e mjaftueshëm, në mënyrë që të përshpejtohen apo të avancohen çështjet e bashkëpunimit, tek investimet e përbashkëta.
Edhe Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës pohon se për fat të keq edhe pse jemi 13 vjet pas luftës, nuk kemi arsye të jemi të kënaqur me nivelin e këmbimit tregtar, të këmbimit të përvojave, me nivelin e bashkëpunimit ekonomik dhe me nivelin e formave të avancuara të bashkëpunimit ekonomik, në relacion Kosovë-Shqipëri.
“Jemi dy shtete dhe popujt të ndarë dhe nëse analizoni këtë formë të bashkëpunimit, barrierat që prodhohen qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, shumë më tepër e dëmtojnë bashkëpunimin ekonomik, shumë më tepër e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe mbi të gjitha na bëjnë jo të sinqertë ndaj popullit të dy shteteve dhe humbin kredibilitetin karshi Brukselit dhe investitorëve të huaj, me të cilët pretendojmë të jemi në të ardhmen, kur mendojmë që kryeqyteti i ardhshëm i Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë Brukseli”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se vet fakti, që kemi dy projekte, të cilat jo vetëm që kanë dështuar, por krahas dështimit dhe pasojave ekonomike, kanë efekte negative edhe në këndvështrimin politik dhe këndvështrimin e promovimit të Kosovës dhe Shqipërisë, siç është interkonekcioni dhe porti i Shën Gjinit, e që është një grusht i rëndë, i cili dëmton edhe më tepër raportet ekonomike Kosovë Shqipëri.
Sipas Gërxhaliut është koha kur më tepër duhet të punohet dhe të mos flitet për bashkimin kombëtar dhe se është koha kur më tepër duhet të ketë vepra konkrete, me të cilat do të matet efekti i dy popujve apo shteteve, të përbëra nga një popull.

Lini një koment