Kalo te lënda

Pritje të gjata në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë

Uten navnMe të përfunduar festat e fundvitit mërgimtarët nga Anamorava ia  mësyn sërish pikës doganore ”Dheu i bardhë” për t’u kthyer në vendet e punës në shtetet perëndimore, por  në doganë janë ballafaquar me pritje të gjata, njësojë sikundër edhe para një javë, kur ata vinin për në Kosovë për të kaluar këto festa me familjarët e tyre. Kolonat e veturave  të mërgimtarëve tanë te kjo pikëkalimi kufitar dje dhe sot është e gjatë, madje arrin  2 kilometra gjatësi, derisa pritjet e tyre të zgjasin për 3 – 4 orë.

Sejdi Halimi, njëri nga bashkatdhetarët i cili synonte kalimin në këtë pikë doganore për të vazhduar rrugën drejt Luzernit të Zvicrës, shprehet i brengosur me faktin që iu është dashur të pres rreth tri orë për ta kaluar kufirin në vendkalimin nga ana e policisë doganore të Serbisë.

”Jemi duke pritur që tri orë në kufi, nuk e di arsyen pse qeveria e Kosovës nuk po e rregullon këto probleme me Serbinë, duke e ditur se disa herë radhazi po takohen me lider të saj”, ka thënë ai. Sipas tij, pritjet po shkaktohen nga pala serbe  e cila po neglizhon shqiptarët, sidomos ata me pasaporta të shteteve perëndimore, duke ia zvarritur dokumentacionin me orë të tëra.

Edhe Liridon Arifi, njëri nga qytetarët që prisnin në kolonën e gjatë, shprehet i mllefosur me policinë doganore serbe, duke shtuar se që të gjithë janë  njerëz të korruptuar, të cilët  presin të përfitojnë të holla në kurriz të shqiptarëve”.

Sipas tij, këto probleme  po ndodhin nga pakujdesia e qeveritarëve tanë, të cilët nuk po aplikojnë masa të njëjta ndaj serbëve që kalojnë në Kosovë.

Sipas  një komunikate që ka lëshuar zyra e PK-së, e gjithë kjo pritje po bëhet për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe qytetarëve të cilët po shfrytëzojnë “Dheun e Bardhë” dhe pikëkalimin kufitar në Merdare, për tu kthyer në vendet prej nga kanë ardhur për festat e fundvitit, por edhe punës jo efikase të autoriteteve serbe.

“Me qëllim të përshpejtimit të punës dhe krijimit të mundësisë së qarkullimit më të shpejtë dhe evitimit të pritjeve të gjata të qytetarëve, Policia e Kosovës ka ngritur kapacitetet e veta të punës duke angazhuar zyrtarë policorë shtesë, si dhe ka informuar institucionet e vendit, në mënyrë që ato, përmes mekanizmave ndërkombëtarë të kërkojnë përshpejtimin e punës nga autoritetet policore serbe”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga policia.

Lini një koment