Kalo te lënda

Paralajmërohet thellim i krizës ekonomike

403x302433421Ekspertët ekonomikë nuk parashohin ndonjë ndryshim nga viti që lamë pas në aspektin e zhvillimit ekonomik, madje, sipas tyre, kriza ekonomike mund të thellohet.
Sfidë kryesore për ekonominë e vendit mbetet numri i lartë i papunësisë. “Niveli i lartë i papunësisë është sfidë, e cila e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta. Kjo sfidë do të na përcjellë jo vetëm këtë vit, por edhe vitet në vazhdim, sepse është një prej problemeve kryesore ekonomike në vend që kërkon një kohë më të gjatë për t’u eliminuar”, ka thënë Alban Zogaj nga instituti “Riinvest”.
Niveli i ulët i investimeve është sfidë tjetër, sipas Zogajt, pasi që është i lidhur edhe me nivelin e lartë të papunësisë, për arsye se kur nuk ka investime në ekonomi, do të thotë se nuk ka vende të reja të punës. “Normalisht që niveli i ulët i investimeve lidhet me normat e larta të interesit dhe me shumë aspekte tjera ekonomike, siç është mjedisi biznesor, pastaj mosfunksionimi si duhet i gjyqësorit, etj. Të gjitha problemet ekonomike janë të lidhura me njëri- tjetrin dhe kësisoj nëse njëri prej tyre fillon të përmirësohet, atëherë do të kishim efekte pozitive edhe në pjesët tjera të ekonomisë”, ka thënë ai.
Zogaj parasheh edhe rënie të remitencave, duke marrë parasysh krizën ekonomike në botë. “Në momentin që bien remitencat, atëherë automatikisht vërehet në ekonominë e Kosovës me ulje ekonomike të konsumit dhe një ekonomi më të dobët”, ka thënë ai. Ndërsa eksperti ekonomik Muhamet Sadiku problem serioz e sheh keqmenaxhimin e proceseve të shitjes së aseteve publike. “Siç po dihet, problemet më të mëdha janë se nuk qeveriset si duhet privatizimi i Postës, pastaj privatizimi i aseteve tjera shoqërore, kur kemi parasysh si ka dështuar qeveria në shitjen e këtyre aseteve”, ka thënë ai.
Ndërsa njëri ndër problemet më të mëdha, sipas tij, është edhe mungesa e zhvillimit të sektorit privat. “Rritja ekonomike e Kosovës vazhdon të bazohet në investime publike, vazhdon të bazohet në shpenzime qeveritare dhe për fat të keq e tëra kjo është duke u zvogëluar me një vërshim tejet të madh të importit, që do të thotë se Kosova ende nuk i ka zbuluar fuqitë e rritjes ekonomike të bazuar në burimet që rrjedhin nga sistemi kapitalist”, ka thënë Sadiku, duke shtuar se varësia nga importi është çështje për t’u preokupuar dhe sipas tij, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale – STRAS, nuk beson se në premtimin e Qeverisë së Kosovës se do të ketë rritje ekonomike deri në 4 për qind. “Qeveria ka premtuar se do të ketë rritje ekonomike deri në 4 për qind, por që në fakt nuk ka ndonjë qëndrim të besueshëm se mund të ndodhë, duke pasur parasysh mungesën e investimeve në projekte tjera, pos atyre në infrastrukturë”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se edhe mungesa e investimeve të huaja si dhe dërgesave nga diaspora mbetet sfidë këtë vit, raporton Zëri.
Sipas tij, të gjitha raportet e buxhetit flasin për një deficit, bilanci i të cilit mund të jetë i qëndrueshëm vetëm me shitjen e aseteve publike, sidomos të PTK-së e që, sipas tij, kur merret në rrafshin e përgjithshëm, kjo më shumë është e dëmshme se sa e dobishme. Edhe Rexhepi, si sfidë kryesore e sheh nivelin e lartë të papunësisë në vend. “Duke pasur parasysh projeksionet qeveritare, nuk japin ndonjë indikacion se mund të përmirësohet gjendja në uljen e papunësisë dhe varfërisë në vend”, ka përfunduar Rexhepi./standardi.info

Lini një koment