Pa viza,as më 201
Institucionet kosovare, edhe pse kanë miratuar ligje të shumta e strategji që kanë për synim përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, e në veçanti për çështjen e liberalizimit të vizave, para vetes kanë ende shumë sfida.
Megjithatë, nga Ministria e Integrimit Evropian thonë se në përgjithësi institucionet e vendit janë të përkushtuara në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave.
Qytetarët në rubrikën e përjavshme VOX të “Radios Evropa e Lirë”, japin mendime të ndryshme rreth asaj se a do të lëvizin lirshëm gjatë vitit 2013. Disa nga ta thonë se Kosova ende nuk i ka përmbushur kriteret për liberalizim, derisa të tjerë shprehen optimistë se gjatë këtij viti që sapo hymë, do të mund të lëvizin lirshëm.
“Besoj që po. Nëse liberalizohen, do të shkojmë në vizita, apo edhe do të gjejmë punë jashtë vendit, për shkak se të ardhurat jashtë vendit janë më të mira se në Kosovë”, shprehet qytetari Hamdi Hoti.
Elion Krasniqi shprehet pesimist sa i përket liberalizimit të vizave në vitin 2013.
“Nuk do të liberalizohen vizat, sepse po mendoj që politikat tona më shumë po e ndjekin interesin e tyre. Qejf kam shumë të lëviz lirshëm jashtë shtetit, por nuk mundem pa vizë”, thotë ai.
Ngjashëm shprehet edhe Bashkim Mazreku: “Nuk besoj, për shkak se nuk i kanë përmbushur kushtet për liberalizim”.
“S’ka shanse të liberalizohen vizat. Sikur të liberalizoheshin, unë do të shkoja jashtë shtetit për studime, por jam shumë pesimist se kjo do të ndodhë gjatë këtij viti”, shprehet Florim Hasimja.
Argjent Bytyçi mendon se sikur qytetarët të mund të lëvizin lirshëm, do të ishte shumë mirë:
“Sikur të liberalizoheshin do të ishte mirë. Unë për vete nuk do të shkoja askund për shkak se e kam biznesin tim këtu, por do të bëhej mirë për qytetarët”.
Ka edhe të rinj që mendojnë se liberalizimi i vizave do të ishte një mundësi e mirë për t’u shkolluar jashtë vendit. Këtë e thotë Arlinda Morina: “Mendoj që ky vit do të jetë më i mirë dhe do ta arrijmë liberalizimin e vizave . Mendoj që do të ishte një mundësi e mirë, sidomos për të studiuar jashtë shtetit”.
Edhe ekspertët e integrimeve evropiane kanë deklaruar disa herë se liberalizimi i vizave për kosovarët vështirë se mund të ndodhë gjatë vitit 2013, për shkak të, siç thonë ata, Kosova nuk është duke ecur me ritmin e duhur drejt liberalizimit të vizave.
Kosova dhe qytetarët e saj thuhet se aktualisht mbeten më të izoluarit në Evropë, sa i përket lirisë së lëvizjes./Dukagjini.com