Kalo te lënda

Nuk dorëzohet Muja

f_0106143807703_mKryetari i PDK-së në Prizren, Ramadan Muja, nuk e ka në plan të dorëzohet në garën zgjedhore për kryetar të Degës së PDK-së.

Ai po lobon tek anëtarët e Këshillit drejtues, që në zgjedhjet e ardhshme t’i besohet edhe një mandat pozita që e mbanë nga koha e dorëheqjes së ish-kryetarit të PDK-së, Zafir Berisha.

Muja në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, ka marrë rreth 30 vota më pak sesa kundërkandidati i tij, Nait Hasani.

Ky rezultat i votimit nuk e ka zhgënjyer atë që të mos e vazhdojë garën për pozitën e kryetarit të PDK-së në Prizren.

”Muja po takohet me anëtarët e Këshillit drejtues. Ai po e kërkon edhe një mandat”, thotë një burim i portalit “PrizrenPress”.

Kryetari Muja nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të PDK-së në Prizren.Ai publikisht nuk ka pranuar të flasë asnjëherë për këtë çështje, edhe pse në fundvit në vend të prezantimit të punës së tij, si kryetar i Komunës së Prizrenit,ka folur vetëm për rolin e PDK-së.

Zgjedhjet e PDK-së në Prizren, është dashur të përfundojnë në fund të vitit të kaluar. Më pastaj ishin paraparë të mbahen në javën e parë të këtij viti, por ato sërish janë shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Sipas statutit të PDK-së, kryetari i Degës, është i obliguar që pas Kuvendit Zgjedhor të caktojë ditën e mbajtjes së zgjedhjeve për Kryesi dhe kryetar. Në statut nuk përcaktohet koha e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Muja po e shfrytëzon këtë zbraztii të statutit të partisë. Zgjedhjet e PDK-së në Prizren, po shtyhen me kërkesën e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, por edhe të vetë Mujës. ”Ai po don të fitojë në kohë”, citon një burim të kësaj partie “PrizrenPress”.

Zëdhënësi i PDK-së, Samir Hoxha, ndërkaq thotë se ende nuk është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve.”Besoj se javën e ardhshme do të kryhet edhe kjo punë”, tha Hoxha. /Telegrafi/

Lini një koment