Nikoliq me helikopter në Patrikanën e Pejës? – VV në gatishmëri
Përfaqësues të kësaj lëvizje thonë se nëse marrin ndonjë informatë se zyrtarë serb do të tentojnë të hyjnë në Kosovë, në emër të festimit të Krishtlindjeve, atëherë do të bëjnë bllokimin e të gjitha rrugëve nëpër të cilat do të mund të kalonte eskorta e këtyre zyrtarëve.
Zyrtari për informim në Lëvizjen Vetëvendosje, Erzen Vraniqi, ka thënë për ORAinfo se ende nuk kanë asnjë informatë se ndonjë zyrtarë serb do ta vizitojë nesër (e hënë) Kosovën me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse.
“Nuk kemi asnjë informatë se ndonjë zyrtarë serb do ta vizitoj nesër Kosovën me rastin e Krishtlindjes Ortodokse. Por nëse marrim ndonjë informatë se dikush do të tentojë të hyjnë në Kosovë, atëherë me trupat e aktivistëve tanë do t’i bllokojnë rrugët nëpër të cilat ata zyrtarët serb do të kalonin”, ka thënë Vraniqi.
Ai ka thënë se janë të vendosur që mos të lejojnë asnjë zyrtarë serb që shkelë tokën e Kosovës.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës nuk ka përgatitur asnjë planë me rastin e festë së Krishtlindjes Ortodokse.
Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Arbër Beka ka thënë për ORAinfo se policia nuk ka hartuar asnjë planë me rastin e kësaj feste, duke shtuar se Polica do të reagojë në bazë të gjendjes.
“Sa herë që ka manifestime ose grumbullime të qytetarëve në pjesë të caktuara, natyrisht se polica e Kosovës përkujdeset për rëndin dhe ligjin. Mirëpo, në bazë të kërkesës të pranuar dhe miratuar nga Qeveria e Kosovës, janë paraparë diku rreth 62 të zhvendosur dhe pelegrin të cilët kanë shprehur dëshirën të vijnë në Kosovë me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, një pjesë e vizitës veç është realizuar sot. Në bazë të vlerësimeve që ka bërë Policia e Kosovës, nuk e ka pa të arsyeshme që të ofrojë përcjellje, për arsye se gjendja e përgjithshme e lirisë së lëvizjes është e mirë në gjithë Kosovën andaj nuk është ofruar përcjellje e drejtpërdrejtë për këta persona”, ka thënë Beka.
Ai ka thënë se policia e Kosovës është e gatshme në çdo moment të ofrojë rëndë dhe qetësi në vend.
Ndërsa, burime të ORAinfo bëjnë të ditur se pas refuzimit të kërkesës nga institucionet e Kosovës për lejimin e presidentit serb Tomisllav Nikoliq që të qëndrojë në Kosovë me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse, ai pritet që me helikopter të arrijë në Patrikanën e Pejës për ta shënuar këtë festë. (ORAinfo)