Ipeshkvia e Kosovës nuk komenton deklaratat e Vatikanit
Ipeshkvia e Kosovës Kisha nuk ka dashur të komentoj deklaratat e kardinalit të Vatikanit, Walter Kasper, i cili ka thënë për të përditshmen Kathpress, se Vatikani nuk ka ndërmend ta njoh pavarësinë e “shpallur njëanshëm nga shqiptarët e Kosovës”.
Kardinali është Kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Unitetit të Krishterë me seli në Vatikan. Ai gjatë një vizite në muajin e kaluar në Rusi, u takua me kreun e Kishës Ortodokse Ruse patriarkun Aleksei i dytë. Pas takimit për para mediave ruse u shpreh se: “Vatikani kupton shqetësimet e Rusisë dhe Kishës Ortodokse mbi problemin e Kosovës . Ne gjithashtu kuptojmë se Kosova është djepi i Kishës Ortodokse Serbe”.
Ai gjithashtu shtoi se: pozicioni i Selisë së Shenjtë është se të gjitha minoritetet etnike kanë të drejta të barabarta fetare, kulturore, sociale dhe për vetëvendosje. Por sipas Kardinalit Kasper, serbët janë seriozisht të “kufizuar” në arritjen e këtyre të drejtave.
Don Fatmiri, zëdhënës i Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit, ka thënë për ORAinfo, se ata së pari do t’i vërtetojnë këto deklarata dhe pas tre ose katër ditësh do të deklarohet për këtë.
“Ne nuk e dimë se çfarë ka thënë kardinali Walter Kasper. Ne jemi në festë sot, ndërsa të mërkurën ose të enjten do të dalim me një qëndrim. Duhet shikuar edhe pozita e kardinalit Kasper, sesa më peshë është ai në Vatikan”, ka thënë Don Fatmiri.
Walter Kasper brenda qarqeve diplomatike të Vatikanit njihet si “një prej personaliteteve më me ndikim të Kishës dhe një ndër diplomatët më të mirë të Vatikanit dhe si njeri që gëzon besimin e tanishëm të Papa Benediktit të XVI”.