Analisti i skandalit
Ministri Bajram Rexhepi thotë se as ambasadori Christopher Dell as Kryeministri Hashim Thaçi nuk kanë pasur gisht në tenderin e pasaportave biometrike. Sipas tij, drejtësia po merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me skandalin e pasaportave. Në një konferencë për media të shtunën Rexhepi tha se deklaratat e zyrtarëve të shkarkuar të MPB-së në lidhje me këtë aferë janë vetëm spekulime.
Vendosi të flasë, e nuk tha asgjë. Organizoi konferencë vetëm për qartësuar gjithçka rreth skandalit që u shkaktua në ministrinë që ai e udhëheq, por në fakt la shumë paqartësi në fund. Derisa të shtunën të gjitha ministritë i mbyllën dyert për pushim, Ministria e Punëve të Brendshme priti gazetarët. Është ministri i saj, Bajram Rexhepi, ai që pikërisht ditën e shtunë vendosi t’i përgjigjet publikisht krejt atyre letrave që kohët e fundit arritën në zyrën e tij.
Kishte shumë. Disa pyesnin rreth skandalit të pasaportave, disa të tjera për shkarkimet që ai bëri, e kishte edhe një letër që ai muaj më parë mori nga ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell. Për të gjitha dha përgjigje me rend, derisa disa nga informatat që u sollën nëpër media i quajti veç spekulime. Prandaj edhe u rrëfye para këtyre të fundit. Hodhi poshtë shumëçka që u tha nga ish kolegët e tij. Kështu Rexhepi ka hedhur poshtë pretendimet e ish- zyrtarit të kësaj ministrie Besnik Berisha, i cili së fundi ka deklaruar se tenderi për prodhimin e pasaportave është fituar me ndikimin e ish- ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
Rexhepi tha i bindur se askush nuk ka pasur ndikim në këtë tender, por ka pranuar që jo vetëm ambasadori Dell, por edhe ambasadorë të tjerë janë interesuar për kushtet e tenderit, gjë që sipas tij, është shumë normale. “Jo veç ambasadori Dell, po ka pas edhe ambasadorë të tjerë, po edhe ministra të tjerë që interesohen për kushtet e tenderit dhe që të jetë një ambient sa më i favorshme që kompanitë nga shtete e tyre eventualisht të dalin fitueses, po pa ndikuar në fituesin e tenderit”, tha ministri Rexhepi, shkruan Express.
Sipas tij, në tenderin prej 1.4 milionë të pasaportave nuk ka gisht as kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Përkundrazi, sipas tij, kryeministri ka kërkuar që të kihet shumë kujdes gjatë tenderimeve. “Doli në media se është kërkuar para në emër të kryeministrit. Unë ju garantoj që kryeministri prej fillimit që e kam marrë unë këtë post kërkon pastërtinë maksimale në çështje të tenderëve. Por, edhe prej përvojës, njerëz që tentojnë të korruptohen, për me mujt me i realizu qëllimet e tyre, ata thirren në një emër të madh”, ka thënë ai.
Ministri Rexhepi theksoi se skandali me tenderin e prodhimit të pasaportave është çështje e drejtësisë, ndërsa kërkoi që ky rast të zbardhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Rexhepi tha se ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur që ky rast të përfundojë sa më parë. “Unë i kam dërguar letër kryeprokurorit të shtetit, shefit të EULEX-it dhe kemi qenë të hapur për gjithë dokumentacionin që kjo të përfundojë sa më parë. Do të jem shumë i lumtur që kjo të përfundojë se nëse dikush ka keqpërdorur të ballafaqohet me drejtësinë”, tha Rexhepi. Megjithëse nuk e ka përjashtuar mundësinë që në aneksin e kontratës së nënshkruar të ketë dykuptimësi dhe të ketë ardhur deri te kjo situatë.
Rexhepi ka shtuar më tej se procesi i prodhimit të pasaportave është pezulluar për pak kohë, por i ka siguruar qytetarët se askush nuk do të mbesë pa pasaportë, kurse për pjesën e 1.4 milionëve ai ka thënë se është kontest gjyqësor dhe ashtu si do të vendosë gjykata, ashtu edhe do të veprohet.
Kreu i MPB-së tha se është në konsultime me përfaqësuesit e kompanisë OeSD për vazhdimin e kontratës për shtypjen e pasaportave biometrike. “Unë dua t’i garantoj qytetarët e Kosovës se nuk do të mbesin pa pasaporta. Kemi kontingjent të mjaftueshëm”, tha Rexhepi.
Në fund, ministri foli edhe për shkarkimet që ndodhën kohëve të fundit në ministrinë tij. Tha se shkarkoi këshilltarët për shkak të raporteve që ata kishin mes vete. Raportet në mes të kryeshefit ekzekutiv Blerim Camës dhe Besnik Berishës gati një vjet nuk kanë funksionuar. Ata kanë pasur konflikt të brendshëm se kush është më i zoti”, tha ministri. “Prandaj edhe janë shkarkuar”.
Sidoqoftë, nuk janë të vetmit Cama e Berisha ata që u shkarkuan. Para pak ditësh ministri vendosi që të njëjtën gjë ta bëjë edhe me këshilltarët e tij politikë Sedat Gashin, Rafet Ramën e Enver Oruqajn. Derisa Gashin e shkarkoi para Vitit të Ri, këta të dy ministri i shkarkoi natën e ndërrimit të moteve. Njërit iu dha lajmi atë natë, e tjetri e kuptoi se u shkarkua nga pozita e këshilltarit vetëm nëpërmjet medieve. Me shkarkimin e Oruqajt e Ramës, numri i këshilltarëve të shkarkuar në MBP shkon në tre.
E pos këtyre Rexhepi ka pezulluar me pagesë kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj dhe drejtorin e Departamentit për Prodhim të Dokumenteve, Besnik Berisha. Vendimet erdhën vetëm disa ditë pas arrestimit të shtetases gjermane Natali Velija nën dyshimin se i ka marrë 1.4 milionë euro nga MPB-ja dhe nuk i ka transferuar në kompaninë austriake, që prodhon pasaportat biometrike. Organet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare janë duke vazhduar hetimet në të ashtuquajturën “afera e pasaportave”. /Telegrafi/