Qeveria e do edhe Vushtrrinë si pjesë të fondit për veriun
Kryeministri Hashim Thaçi do të kërkojë në Bruksel që pjesa jugore e qytetit të Mitrovicës dhe qyteti i Vushtrrisë të jenë pjesë e fondit për zhvillimin ekonomik të veriut të Kosovës. Zyrtarë të lartë qeveritarë, të afërt me ekipin që do të përfaqësojë Kosovën në takimin e 17 janarit, i kanë thënë gazetës Koha Ditore se qëllimi i palës kosovare është që fondi për zhvillimin ekonomik, që do të menaxhohet nga BE-ja dhe Qeveria e Kosovës, po ku do të alokohen edhe mjetet që Qeveria e Serbisë ndan për veriun, të përfshijë gjithë regjionin e Mitrovicës, duke lënë jashtë vetëm komunën e Skenderajt.
“Qëllimi është që gjithë regjioni i Mitrovicës të përfitojë nga ky fond. Skenderaj mund të mbetet jashtë, por Vushtrria duhet të jetë pjesë e tij. Ai regjion ka qenë arterie e zhvillimit ekonomik, por për shkak të zhvillimeve politike ka mbetur në gjendje jo të mirë. Fondi duhet të synojë zhvillimin ekonomik të regjionit”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një zyrtar i afërt me ekipin kosovar të bisedimeve.