Synim yni është që buxheti për MBPZHR-në të arrijë 100 milionëshin
Regjistrim i bujqësisë, do t`i hapë rrugë investimeve direkte nga donatorë të ndryshëm në masë shumë më të madhe se deri më tani, do të mundësojë planifikim dhe shpenzimin më të efektshëm të buxhetit, andaj ky regjistrim konsiderohet si projekti kryesorë i vitit 2013-të për ministrin Blerand Stavileci.
“Regjistrimi bujqësorë është projekti më i rëndësishëm për bujqësinë. Po e them kështu duke e ditur problemet që i kemi nga njëra anë, por edhe përfitimet e mundshme që do t`i kemi pasiqë ky të realizohet dhe t`i kemi të dhënat e sakta. Dhe pastaj mundësia për të përfituar nga fondet strukturore të Bashkimit Evropian. BE, sot pyetjen e parë që na drejton është në çfarë statistika mbështeteni”, ka thënë Stavileci.
Sipas ministrit Stavileci, buxheti prej 35 milion eurosh i paraparë për vitin 2013-të, do të mundësojë përkrahjen e shumë projekteve në sektorin e bujqësisë, por sipas tij kjo shumë nuk është e mjaftueshme. AI ka thënë se përkundër nevojës për më shumë fonde për bujqësinë, është më mirë që rritjet të ndodhin në mënyrë graduale, por që të jenë të qëndrueshme.
“Buxheti për këtë sektorë duhet të rritet shumë më shumë. Ndoshta megjithatë, nuk do t`i bënte mirë një rritje shumëfish, që përnjëherë të shumëfishohej, dhe qysh sivjet të kemi një vlerë e cila është ëndërr e jona që buxheti për këtë sektorë ta prekë atë shifrën 9 shifrore, 100 milionëshin. Sepse, ende nuk jemi të gatshëm, ende nuk i kemi të plotë regjistrat bujqësorë, ende kemi shuam probleme në terren…”, thotë ai.
Stavileci ka thënë se në subvencionet e vitit 2013, do të ketë risi, si te sektori i mishit, prodhimi dhe përpunimit të tij. Pastaj, përpunimi i produkteve bujqësore ku do të ketë masë të veçantë për përpunimin e qumështit dhe pemëve e perimeve, pastaj përkrahja e sektorit të bimëve aromatike mjekuese dhe frutave të egra të malit si dhe mekanizmi bujqësor, duke përfshirë shumën totale të granteve dhe subvencioneve rreth 25 milion euro.