Kalo te lënda

Spiuni Pa Kontroll

largea_kadi_veseli_645px91357315341E kanë kritikuar për ushtrim të kontrollit dhe pushtet të paautorizuar. Por, ai thotë se kontrolli është sintagmë e keqe për një shoqëri, se nuk mundohet ta kontrollojë as familjen e tij dhe se vetëm i ka shërbyer atdheut. “Zoti nuk ju gjykon nga ato që thuhen për ju”, u përgjigjet kritikuesve. Thotë se Adem Grabovci është mik i tij prej 20 vitesh, se interpretimi i përgjimit të telefonatës mes tyre ishte i pamoralshëm dhe se SHIK-u nuk ia kishte dhënë ish-zëvendësministrit informacionet e 2009-tës kundër Ramush Haradinajt. Sipas tij, me biznesin e vet, ka pasur vetëm 1 për qind të qarkullimit nga kontratat publike. Kështu del se, Kobit PC nën udhëheqjen e Veselit është kompani me qarkullim milionësh.

Kadri Veseli thotë në një intervistë për Jeta në Kosovë se ka njerëz që pretendojnë se ai ka qenë gjithnjë i përfshirë, por se ka tërhequr vetëm penjtë nga prapaskena.

Mirëpo, ai nuk pranon të quhet njeri i fuqishëm.

“…Njerëzit që kanë informata është e vërtetë se kanë fuqi. Por fuqia më e madhe është humanizmi dhe sjellja në interes të shoqërisë e atdheut”.

A dërgoheshin në Partinë Demokratike të Kosovës informatat që i mblidhte SHIK-u?

“SHIK-u nuk ka qenë pjesë e asnjë partie. Kemi pasur bashkëpunim me pjesën më të madhe të koloritit politik”, thotë Veseli.

Ky shërbim, sipas tij, ka punuar me një mision “që ka pasur për synim që Kosova të mos konsiderohet si njollë e zezë ku sundon krimi i organizuar dhe të mos konsiderohet si çerdhe e terrorizmit”.

Dhe, si i mblidhte informatat SHIK-u? Organizata, thotë ai, kishte kompjuterë ku i zhvillonte informacionet “kur trajtonte një rrethanë të caktuar”.

Por, shton Veseli, SHIK-u nuk kishte informacione të hedhura në letër dhe nuk kishte stoqe të informatave – një arkiv.

Sipas tij, kjo organizatë kishte mbledhur informata të shumta edhe nga Beogradi e që tregonin për planet serbe me implikime të rëndësishme për Kosovën. Ai nuk ka folur në detaje për ndonjë prej këtyre dokumenteve.

Veseli ndërkohë pranon se qëndroi nën hije si udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës, por thotë se e kishte për detyrë të mos ekspozohej.

“Nuk ka qenë se jam fshehur mirë. Në jetën time unë nuk jam ekspozuar. Kam pasur një detyrë të caktuar së cilës në përpikëri iu kam përshtatur”, thotë Veseli.

SHIK-u që udhëhiqej nga Veseli është përmendur në raporte të botuara edhe nga Komiteti Komitetin Kombëtar për Politikën e Jashtme të SHBA-së si organizatë e cila u vetëfinancua përmes reketit ndërsa është akuzuar nga vrasësi i vetëdeklaruar Nazim Bllaca, i kthyer në dëshmitar bashkëpunues, për atentate me porosi. Në dy raste, dëshmitë e Bllacës kanë çuar në dënime por ato nuk janë ndërlidhur në aktgjykime në mënyrë eksplicite me SHIK-un.

“Ka një thënie shumë të mirë për këtë nëse u referohem çështjeve të krimit të organizuar e përvetësimit material – ‘Zoti nuk ju gjykon nga ato që thuhen për ju, por nga ato që keni bërë”’, shprehet Veseli.

Shërbimi…që ai drejtoi kritikohet edhe për shantazh dhe ndikime financiare edhe nga drejtues të partive politike që kundërshtojnë PDK-në në pushtet, ku Veseli u anëtarësua zyrtarisht në muajin tetor.

Veseli përgjigjet me atë se “në Kosovë të gjithë e njohin njeri-tjetrin”.

“Zëri i këtyre fyerjeve që tentojnë të dëmtojnë ish-strukturën që unë kam udhëhequr – SHIK-un, është i njerëzve që kanë përfituar të mira materiale, kanë përfituar miliona euro, kanë keqpërdor pozitat e tyre institucionale”, shton ai.

Për vete, shton Veseli, nuk ka përvetësuar të mira materiale në këtë mënyrë.

Thotë se jeton në një banesë në Prishtinë ndërsa se prindërit e vëllezërit e tij jetojnë “po në të njëjtën shtëpi që kanë jetuar edhe më herët”, në Mitrovicë.

Tutje, tek iu ka përgjigjur akuzave për krime nga SHIK-u, Veseli pohoi se është përkundrazi klasa politike ajo që ka bërë “prostituim publik me tema të ndjeshme siç janë vrasjet e pas-luftës”.

Veseli thotë se klasa politike duhet të distancohet nga krimet e kryera “të cilat e kanë degraduar lirinë e Kosovës” dhe t’i japë mbështetje gjyqësorit për zbardhjen e rasteve dhe dënimin e secilit që ka kryer vepra kriminale.

Pse e mbylli syrin në RTK?

Lodhja ishte shkaku – thotë Veseli – pse kishte kërkuar pauzë gjatë një interviste të drejtpërdrejtë në RTK, në mbrëmjen e pas-lajmeve, më 3 nëntor.

Ai i kishte bërë me sy dhe njëkohësisht edhe me dorë gazetarit të RTK-së i cili, megjithatë, vazhdoi me pyetje, por mori sinjalin nga regjia se intervista duhej të ndërpritej.

“Mund të ndodhë, edhe ka ndodhur. Njeriu lodhet dhe në moment të caktuar, kërkon pauzë”, thotë Veseli.

I kujtohet vetëm shenja me sy, por jo edhe me dorë.

“Nuk më kujtohet që ia kam bërë me dorë”, tha ai. “Nuk më kujtohet se nuk ka qenë diçka e organizuar”.

Ajo që ka ndodhur, sipas tij, nuk ka pasur të bëjë as me politikat redaktuese apo me influencë mbi RTK-në.

“Nuk është në natyrën time të demonstroj, të kem lakmi dhe të jem i sëmurë nga egoja”.

“…Në jetën time nuk mundohem të kontrolloj as familjen. Mundohem të krijoj raporte të shëndosha. Kontrolli është sintagmë shumë e rëndë për një shoqëri”, shprehet Veseli.

Madje, sipas tij, do të ishte fatkeqësi nëse televizioni publik do të ishte “nën kontroll të dikujt”.

Sa fiton kompania e Veselit nga prokurimet publike?

Veseli kallëzon se me të mbaruar “misionin” si kryespiun i SHIK-ut, më 2008, hapi një kompani private për shitje të kompjuterëve .

Kobit PC, sipas Veselit, bën shitblerje “të kompjuterëve të dorës së dytë”, ose të përdorur.

Aty thotë se është edhe pronar edhe udhëheqës. Zyrtarisht pronar figuron një familjar i tij Hylmi Veseli, por thotë Kadriu, ai ka hise në pronësi pasi jeton në të njëjtën familje.

Sipas tij, kompania ku ai është hisedar ka fituar pak nga prokurimet publike dhe mbahet nga shitjet me pakicë tek qytetarët dhe shitjet me shumicë tek tregtarët e kompjuterëve.

“Mbi 99 për qind të qarkullimit tonë financiar nuk ka të bëjë me prokurimet publike”, thotë Veseli.

Blerjet nga institucionet publike, sipas tij, janë shumë të vogla dhe nuk mund të jenë në shifra më të larta sesa prej 3 deri në 5 mijë euro.

Po ashtu, sipas tij, blerjet nga shteti përgjatë pesë viteve të operimit të kompanisë nuk janë realizuar më shumë sesa dy apo tri herë.

“Nuk besoj që e kalojnë shumën prej 10 mijë e 15 mijë euro në pesë vitet e fundit”, thotë herën tjetër Veseli, për të ardhurat e kompanisë së tij nga prokurimet publike.

Në këto raste, sipas tij, kompania “ka ofruar çmimin më të lirë pasi që shet pajisje të dorës së dytë”.

Në fakt, Kobit PC ishte shpallur fitues në një tender të furnizimit me pajisje të teknologjisë informative të Zyrës së Kryeministrit.

Veseli thotë se nuk beson që Zyra e Kryeministrit ka blerë kompjuterë të përdorur nga kompania e tij. “Mundet se ka ble material shpenzues, por nuk besoj për kompjuterë”.

Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) flasin se “Kobit PC” ka dalë fitues në tenderët që peshojnë financiarisht më shumë se sa vlerat financiare që i përmend Veseli.

Rreth 46 mijë euro ka qenë vlera e tenderëve të cilët i ka fituar “Kobit PC” nga institucionet publike përgjatë viteve 2009, 2010 dhe 2011.

Vetëm në vitin 2009, kompania fitoi një tender në vlerë prej 8 mijë e 547 eurosh nga Zyra e Kryeministrit si dhe një tjetër në vlerë prej 9 mijë e 534 eurosh nga Qendra Klinike Universitare.

Ajo kishte fituar kontratë në shumë prej 3 mijë e 94 eurosh nga komuna e Malishevës më 29 mars të vitit të kaluar.

Në vitin 2010, fitoi një tender në vlerë prej 9 mijë e 954 eurosh nga Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, një mekanizëm që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Gjatë vitit 2011, po ashtu kompania Kobit PC, fitoi një tender në vlerë prej 15 mijë e 142 eurosh nga komuna e Fushë Kosovës.

Dhe nëse vetëm 1 për qind e qarkullimit financiar të “Kobit PC-së” ka ardhur nga institucionet qendrore – në shumën e rreth 46,000 eurove – atëherë del se kompania e “kompjuterëve të dorës së dytë” e Veselit ka qarkulluar rreth 4.6 milionë euro nën drejtimin e tij.

Në një tubim partie të PDK-së në Suharekë ku u zgjodh kryetari i degës, Veseli kishte afër Safet Hoxhën, kryeshef i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Veseli thotë se Hoxhën e njeh vetëm si figurë, por nuk njihet personalisht me të.

Thotë se nuk e ka pasur atë ulur as në anën e djathtë, as të majtë dhe as përballë – më 9 dhjetor të vitit të kaluar. “Mund të ketë qenë aty, por nuk ka ardhur me mua dhe nuk e kam sjellë unë aty”, thotë ai.

Interpretimi i pamoralshëm i bisedës me Grabovcin

Kadri Veseli thotë se nuk i ka dëgjuar asnjëherë bisedat e rrjedhura në Yotoube ndërmjet zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, por thotë se ato ia kanë interpretuar miqtë.

Në njërën prej atyre bisedave të përgjuara nga EULEX-i, ai dëgjohet duke biseduar me Adem Grabovcin, shefin e grupit parlamentar të partisë në pushtet.

Dhe Veseli e quan të pamoralshëm interpretimin që i është bërë kësaj bisede.

Sipas tij, nuk mund të quhet raportim një bisedë ku dëgjohen edhe fëmijët e tij.

“…Nuk është në natyrën time t’i marrë fëmijët dhe të më raportohet”, shprehet Veseli.

Për Grabovcin thotë se e ka mik qe 20 vjet dhe se me të “e kanë ndarë se bashku jetën e vdekjen”.

“E mira e krejt kësaj situate është që ka ndodhur me njerëz të quajtur ‘të fuqishëm’. Shyqyr zotit që nuk iu ka ndodhë juve (gazetarëve) që pastaj të interpretohet se shteti bën represion ndaj njerëzve e ndaj shoqërisë civile”, shprehet ai.

Informatat e Grabovcit kundër Haradinajt nuk ishin të SHIK-ut

Veseli po ashtu gjatë kësaj interviste, po ashtu, ka komentuar disa prej zhvillime kryesore që kanë ndodhur vitin e shkuar.

Rrëshqitja e një orteku bore mbyti gati gjithe një familje në fshatin Restelicë të Dragashit.

Veseli thotë se shteti duhet të marrë masa për të mos ndodhur tragjedi të njëjta.

Por, institucionet e Kosovës nuk i dhanë as ndihmën e premtuar axhës së vajzës së mbijetuar Amsera Rekës.

Thotë se nuk ka informata për këtë, por kritikon Qeverinë serbe që bëri marketing me këtë tragjedi kur ish-Presidenti Boris Tadiq premtoi ndihmë financiare për të mbijetuarën Amsera Reka.

Gjatë të njëjtit vit, ish-kreu i bordit të Agjencisë së Privatizimit, Dino Asanaj, u gjet i vdekur në zyrën e biznesit të tij në “Veternik” të Prishtinës. Autoritetet konstatuan se Asanaj kreu vetëvrasje.

Veseli thotë se Asanajn e kishte mik dhe ishte njohur me të në Konferencën e Rambujesë për Kosovën, në vitin 1999.

Ai thotë se për këtë rast duhet pritur që “fjalën e tyre ta thonë autoritetet shtetërore”.

Ndërkohë lirimin e Ramush Haradinajt nga Tribunali i Hagës e vlerëson si “lajm të mirë”, por nuk pranon të komentojë përplasjet që kishte miku i tij Adem Grabovci me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më 2009.

Grabovci i kishte kërkuar atëherë Haradinajt – në përgjigje ndaj akuzave të këtij të fundit drejtuar SHIK-ut – të tregonte se si kishte arritur të posedonte villa, kulla, të kontrollonte kazino, t’iu merrte reket bizneseve etj.

“Pyeteni Grabovcin e Haradinajn për këtë”, thotë Veseli.

Por, a ishin ato informata të mbledhura nga SHIK-u?

“Grabovci asnjëherë në jetën e tij nuk ka pasur qasje në informatat dhe nuk ka pasur të bëjë me SHIK-un”, përgjigjet ai.

Ndërkohë e quan sukses “gjetjen e autorëve” në aferën e pasaportave për të cilën një afariste po akuzohet për dhënie ryshfeti ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në anën tjetër, thotë se për Mitrovicën po punohet çdo ditë dhe se qyteti në të ardhmen nuk do të jetë i ndarë. Qeveria e Kosovës, sipas tij, po ndërton atje shtëpi dhe është duke u sjellë më mirë me qytetarët serbë sesa Republika e Serbisë e cila “ka eksportuar në Kosovë kriminelë të cilët tash jetojnë në atë zonë”.

Për sa i përket investimeve të huaja, Veseli thekson se do të duhej që bizneseve perëndimore t’u jepej mundësi e hapësirë më e madhe.

Por, kësaj radhe ai nuk merr qëndrim të hapur kundër bizneseve turke siç kishte bërë vitin e kaluar kur ishte intervistuar nga një portal gjerman. (jnk)

Lini një koment