Kalo te lënda

Serbia kërkon të bisedohet edhe për thëngjillin e Kosovës

f_0104113124392_mMinistrja serbe e Energjetikës, Zorana Mihajloviq ka deklaruar se në bisedimet e Qeverisë serbe dhe asaj të Kosovës në Bruksel duhet që me ndërmjetësimin e BE-së të bisedohet edhe për resurset energjetike.

“Ajo çfarë mund të them tash është se ne kërkojmë të bisedohet për çdo gjë. Nuk do të bisedojmë vetëm rrjetat transmetuese dhe për atë se a ka apo jo energji elektrike në veri të Kosovës, por duam të bisedojmë për resurset natyrore”, ka thënë ajo për agjencinë serbe të lajmeve Beta, transmeton Orainfo.

Sipas saj, Kosova është e dyta në Evropë sa i përket pasurisë nëntokësore të thëngjillit. “Ky është resurs i madh natyror për të cilin do të bisedojmë se bashku që të arrijmë marrëveshje, natyrisht me prani të institucioneve ndërkombëtare dhe Komisionit Evropian”.

Mihajloviq ka theksuar se bisedimet teknike për zgjidhjen e çështjeve energjetike në një far mënyrë kanë filluar dhe se delegacioni i Serbisë ka qenë në Bruksel dy herë.

“Në takimin e parë përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë ardhur, kurse në takimin e dytë vetëm janë paraqitur pikat kalimtare sipas të cilave është vlerësuar se dialogu duhet të filloj”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

 

Lini një koment