Kalo te lënda

Rexhepi hesht ndaj akuzave të Berishës

f_0104191619902_mMinistri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka vendosur të heshtë ndaj deklaratave të zyrtarit të shkarkuar në ministrinë e tij, pas skandalit të pasaportave.

Besnik Berisha, i cili është pezulluar nga detyra e drejtorit të Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë tenderi i 1.4 milion eurove të destinuara për prodhimin e pasaportave biometrike kosovare, të cilin e ka fituar kompania austriake “Osterreichische Staatsdruckerei”, nuk ishte i pastër si loti, siç thotë ministri Rexhepi.

“Vetë këshilltari i tij (ministrit Rexhepi – v.j.), Fisnik Rexhepi, ku ka qenë Sekretari e Kryeshefi edhe drejtori i Prokurimit e Ministri, me një letër ka ardhë e ka thënë se prej Ambasadës së Amerikës kanë kërkuar që tenderi t’ju jepet austriakëve se janë të përgjegjshëm”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, të “mëdhenjtë” nuk ia kanë lejuar menaxhimin e kontratës me austriakët, edhe pse kjo ishte përgjegjësi e tij. Ndërsa, shton se në vend që paratë nga xhirollogaritë nënkontraktuese të shkojnë në Austri, ato janë dërguar në tri firma të Kosovës që janë marrë me qeramikë e beton.

“Ministri Rexhepi na ka ftuar në takim dhe në dorë i ka pasur xhirollogaritë, në të cilat janë bartur paratë e tenderit. Kanë qenë tri firma të qeramikave dhe të betonit. Unë ia kam dhënë këtë informatë policisë për t’i bërë hetimet”, ka thënë Berisha, i cili pranon se është takuar me të akuzuarën kryesore në këtë rast, Natali Velijaj. “Le t’i gjejnë lidhjet ku kanë shku”, shton Berisha

Në anën tjetër, ministri Rexhepi ka vendosur të heshtë ndaj këtyre deklaratave të Berishës.

Lini një koment