Kalo te lënda

Reforma kushtetuese, sfidë e 2013-së

f_0104124532174_mReforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore konsiderohen ndër ngjarjet më të rëndësishme në vitin që e lamë pas.

Për shkak të mosmarrëveshjeve politike aktualisht kjo reformë ka pritur zgjidhje politike dhe kjo mbetet njëra nga sfidat e vitit 2013.

Arsim Bajrami kryetar i Komisionit për reformë kushtetuese tha për Radio Kosovën se ka shenja të tejkalimit të këtij ngërçi politik, madje në tremujorin e parë të këtij viti.

”Janë disa shenja inkurajuese këtë javë sepse kemi dëgjuar deklaratën e presidentes se ajo është e gatshme ta dorëzojë detyrën e presidentes në momentin kur zgjidhet një president i ri dhe mendoj se ky është një hap shumë i guximshëm sepse ajo veç ka hapur rrugën që të përfundohet reforma kushtetuese që të zgjidhet një president nga populli dhe ajo t’ia dorëzojë detyrën para se të përfundojë mandati pesëvjeçarë”, tha Bajrami.

Sipas Bajramit përgjegjësia për tejkalimin e kësaj situate mbetet tek liderët politik, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

“Këta dy lider politik duhet të arrijnë një marrëveshje për të caktuar agjendat zgjedhore, agjendat e zgjedhjeve parlamentare, agjendat e zgjedhjeve presidenciale, sepse zgjedhja eventuale e presidentit apo e kryeministrit nuk mund të bëhet jashtë kornizës kushtetuese në fuqi. Dhe absolutisht çfarëdo rikonfigurimi eventual i qeverisë, do të kërkojë respektimin e procedurave kushtetuese. Nuk mund të ndërlidhet çështja e kryeministrit me çështjen e presidentit”, tha Bajrami.

Amendamentet kushtetuese janë në parlament dhe i kërkojnë dy të tretat e votave, tha Bajrami, duke shtuar se për të pasur një sukses votimi duhet të arrihet marrëveshja politike. Këto ndryshime duhet të finalizohen së paku 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të cilat pritet të mbahen në vitin 2014. /Telegrafi/

Lini një koment