Mabetexi i Behgjet Pacollit ndërton stadiumin e ri të Interit?
Ka shumë mundësi që stadiumin e ri të ekipit italian, Inter, ta ndërtoj kompania Mabetex Group, pronë e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behgjet Pacolli.
ORAinfo ka siguruar një fotografi në të cilën shihet presidenti i Interit, Massimo Moratti gjatë vizitës në selinë e kompanisë Mabetex në Logano të Zvicrës.
Vizitën e Morattit në Mabetex e ka konfirmuar vëllai i Behgjet Pacollit, Selimi, i cili është edhe përfaqësues i kompanisë Mabetex në Kosovë.
Ai për ORAinfo ka thënë se vizita e presidentit të Interit është bërë pikërisht për ndërtimin e këtij stadiumi.
“Massimo Moratti ka qëndruar për vizitë në kompanin tonë. Këtë e ka bërë për të parë funksionet e kompanisë, çfarë kompanie jemi, duke shprehur njëkohësisht interesimin që ne ta bëjmë projektimin e stadiumit, që ndoshta në të ardhmen ta shikojmë edhe mundësinë e ekzekutimit të punëve. Janë biseda preliminare, ende nuk ka asnjë projekt, ende nuk është shpallur tenderi”, ka thënë Selim Pacolli.
Për kompaninë Mabetex Group, ky projekt ka një rëndësi të madhe, edhe pse vet Pacolli thotë se kanë pasur edhe projekte më të mëdha dhe më të rëndësishme.
“Po për neve s’do të thotë edhe shumë, sepse kemi bërë projekte edhe më të mëdha se ky stadium dhe më të rëndësishme, por është referencë e mirë”, ka thënë ai.
Ndërsa nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur do të shpallet ky tender dhe a do ta fitojë sigurt kompania Mabetex, edhe pse Pacolli beson se do të ndodhë një gjë e tillë.
“Po pritet. Është logjistika e klubit të futbollit të Interit. Ata janë duke punuar në këtë drejtim. Mbi të gjitha është edhe ajo që Behgjet Pacolli është mik me presidentin e Interit Massimo Moratti, dhe faktikisht mund të jetë edhe kjo njëra prej interesave dhe referencave që ta fitojmë këtë projekt”, ka përfunduar Selim Pacolli. (Dardan Hoti/ORAinfo)