“Kathimerini”: Forca ushtarake greke tërhiqet nga Kosova
Sipas saj, forca ushtarake greke është tërhequr pas 13 vjetësh të pranisë në këtë rajon të nxehtë të Ballkanit perëndimor, për shkak të krizës ekonomike që po kalon Greqia.
“Qeveria e Athinës ka deklaruar se buxheti nuk mund të përballojë një shpenzim të tillë, në kohët e vështira që po përjeton shoqëria greke dhe i ktheu përsëri në vend rreth 200 ushtarë e oficerë, të cilët ishin të vendosur në bazën “Rigas Feraios” në Ferizaj, e cila u evakuua”, citohet në shkrimin që ka për autor gazetarin e njohur Stavros Ximas.
Sipas tij, me largimin e forcës greke, ELDYK, shuhet tani prania ushtarake greke në Ballkan, që u zhvillua në periudhën e krizës jugosllave, me njësitë e organizuara në Bosnje, Shqipëri dhe Kosovë, por edhe me konsulencë teknike, pajisje e furnizime ushtarake për ushtrinë sllavomaqedonase, gjatë konfliktit të vitit 2001 në ish Republikën Federale të Maqedonisë.
Në këndvështrimin e gazetarit, ky zhvillim nuk është i mirë për interesat kombëtare greke. “Greqia nuk mund dhe nuk duhet të mungojë (edhe ushtarakisht) në formësimin realitetin e ri në kufirin verior, ku ka interesa të mëdha ekonomike dhe ku çështjet kombëtare mbeten të hapura.
Autori thekson se “ushtria greke, me praninë e saj diskrete, sjelljen e patëmetë kontribuoi shumë në ndryshimin e klimës armiqësore që përfshiu elementin shqiptar, i cili e shihte Greqinë si një aleat besnik të serbëve”.
Në fund citohen fjalët e ish – kryetarit të komunës së Ferizaj Bajrush Xhemajli, drejtuar komandantit të forcës greke ELDYK, Jorgos Haxitheofanus: “Ne kurrë nuk do t’ju harrojmë dhe kjo trashëgimi e ushtarëve grekë nuk duhet të humbasë”.