Berisha: Për 27 ditë, i bëra 320 mijë miq në “Facebook”
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është i lumtur që për 27 ditë – sa ka hapur profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook” – ka arritur të numërojë 320 mijë fansa.
“Të dashur miq. Ne sot, në ditën e 27 të lindjes së rrjetit tonë në ‘Facebook’ u bëmë 320 mijë miq nga Shqipëria dhe mbarë bota. Ky është një sukses i vërtetë që na bënë ne krenarë me njëri-tjetrin. Kjo sepse ne, në një hark kohor të shkurtër, ia dolëm të krijojmë rrjetin social me aktiv, me intensiv, me të besueshëm, më të hapur dhe më të bukur se çdo rrjet tjetër i këtij lloji. Këtë e provojnë qartë statistikat e rrjetit tonë të përbashkët, i cili në një javë shihet nga 1.5 deri ne 2.05 milionë njerëz, kurse numri i atyre që flasin për të luhatet nga 81 në 184 mijë, ndërsa numri i miqve të fansave të rrjetit tonë i kalon mbi 10.9 milionë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
“Merita është e juaja, e gjithsecilit prej jush. Ju me pasionin, sinqeritetin, idetë, mendimet, qortimet, shqetësimet, vlerësimet, opinionet dhe propozimet tuaja me shpejtësi marramendëse e shndërruat rrjetin tonë në një megamagnet të llojit të vet të paparë. Faleminderit shume! Ndihem krenar që jam njëri prej jush. Gëzuar të gjithëve! – sb”.