Skena politike drejt shkrirjes në blloqe
Analistë politikë dhe ish përfaqësuesit e partive politike vlerësojnë se Kosova po shkon drejt krijimit të blloqeve politike dhe eliminimit të partive të vogla nga skena politike. Mirëpo sipas tyre eliminimi i partive të vogla është një indikator që Kosova gjithsesi duhet të ndahet në blloqe-koalicione zgjedhore, siç janë vendet e rajonit. Mirëpo, një gjë e tillë sipas tyre nuk pritet të ndodhë së shpejti.Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova, aktualisht në LDK vlerëson se Kosova po e kalon edhe një test të rëndësishëm të transicionit.
Lidhur me Koalicionin e mundshëm në mes të PDK-së dhe AAK-së, sipas tij do ta bënte më të brishtë AAK-në, në aspektin e parimeve politike, konceptet programore që i kanë shprehur publikisht si qëndrime politike dhe do të shkaktonin konfuzion edhe në aspektin e profilizimit të tyre si parti por edhe te anëtarësia e AAK-së.
“Ky koalicion i mundshëm do e largonte AAK-në nga blloku i djathtë i mirëfilltë si dhe do ta zbehte fuqinë politike si një balancë mes dy blloqeve politike”, ka thënë Rugova.
Ndërkaq, sekretari i organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj ka thënë se ndarja e skenës politike në Kosovë, për fat të keq nuk është ndarje në blloqe ideologjike, parimore, apo programore, por ndarje në grupe interesi, kryesisht për interesa individuale dhe grupore, por jo për interesa të përgjithshme.
“Kështu, pas luftës kemi pas mundësi të qeverisemi nga koalicione të ndryshme që nuk kanë qenë të bazuara në parime apo programe politike, siç janë LDK-AAK, PDK-LDK,PDK-AKR dhe shpresojmë që kjo praktikë nuk do të përsëritet tash edhe me koalicionin PDK-AAK. Këto koalicione e tregojnë të vërtetën e partive politike në Kosovë”, ka thënë Molliqaj për “Zëri”.
Kurse, ish-zëdhënësi i partisë ORA tashmë e shkrirë në LDK, Ylli Hoxha, ka thënë se përfundimisht numri i subjekteve politike garuese është tregues se procesi i organizuar me prag zgjedhor dekurajon ekzistencën e partive të vogla dhe inkurajon grupimin e subjekteve politike në forca të cilat kanë gjasa reale për ta kaluar këtë prag./standardi.