Kalo te lënda

Rexhepi shkarkon edhe dy këshilltarë!

ball_bajram-rexhepi--l_h_111Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e ka nisur me shkarkime Vitin e Ri 2013. Ai ka marrë vendim që t’i shkarkojë edhe dy, tashmë ish-këshilltarë të tij, Enver Oruçaj dhe Rafet Rama, të cilët i ka pasur këshilltarë pothuajse prej se ka nisur punën si ministër i Brendshëm. Ndërkohë, që pak ditë pas skandalit me pasaportat biometrike ai kishte suspenduar edhe katër zyrtarë të tjerë të MPB-së, përfshirë këtu edhe shefin e kabinetit, Sadat Gashin.

Njëri nga zyrtarët e kësaj ministrie, që ka folur në kushte anonimiteti ka treguar se shkarkimet janë bërë vetëm pak kohë para se të ndërrohen motmotet, por qëllimisht nuk janë publikuar emrat.

“Natën e Vitit të Ri, me qëllim që kjo të mos merret vesh shumë në opinion dhe gjithçka te shkojë nën atmosferën e Vitit të Ri, ministri i Brendshëm i ka shkarkuar edhe dy këshilltarët e tij, Enver Oruçajn dhe Rafet Ramën”, ka thënë burimi.

Shkarkimin e ka pohuar edhe vetë ministri Rexhepi, i cili, gjatë një prononcimi për “Zërin” e ka mohuar kategorikisht se shkarkimet kanë të bëjnë me aferat që kanë përfshirë Ministrinë e rendit. “Kjo po ndodh në kuadër të riformatizimit (të kabinetit). Ka të bëjë me profilin e tyre, sepse më duhen këshilltarë të profilizuar për liberalizim të vizave dhe integrim. Kjo nuk ka të bëjë me çështjen e pasaportave”, ka thënë ai nëpërmjet telefonit.

Në fakt, gjatë vitit 2012 Ministria e Punëve të Brendshme pothuajse gjatë çdo jave ka qenë kryelajm në mediet e vendit me skandale të shumta, ndërsa “kryelajmi” ka qenë skandali i pasaportave.

Ndërkaq, në të gjitha paraqitjet publike ai e ka mohuar se shkarkimet janë bërë nën dyshimin se të njëjtit kanë “gisht” në keqpërdorimin e një milion e katërqind mijë eurove, por shoqëria civile, mediet, dhe partitë opozitare vazhdimisht kanë insistuar se pikërisht skandali i pasaportave është arsyeja e shkarkimeve në fjalë, ndërsa ka mohuar se pas skandaleve do të japë dorëheqje.

Opozita dhe shoqëria civile vazhdojnë të këmbëngulin që ministri Rexhepi të japë dorëheqje. “Pas atyre dy aferave, qoftë aferës së pasaportave apo të targave, në secilin vend që flitet për vlera evropiane dhe për integrime, ministri do të duhej të japë dorëheqje dhe t’ia lërë Prokurorisë dhe organeve kompetente të që merren me çështjen, dhe nuk mundohet, të themi në gjuhën popullore, ta mbulojë marren duke bërë hapa të tillë kozmetikë”, thotë sekretari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke vepruar në kundërshtim me parimet dhe vlerat perëndimore.“Nëse në një ministri ndodhin dy skandale të tilla radhazi, dhe kjo ministri duhet të jetë ministria që duhet të sigurojë rendin dhe ligjin për qytetarët e Kosovës, aty nuk kemi të bëjnë me këshilltarë, aty menjëherë duhet të ndodhë dorëheqja e ministrit, sepse është nën menaxhimin e ministrit”, nënvizon ai.

Ndërsa, drejtori i Organizatës për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, Avni Zogiani, thotë se është absurde që të pretendohet që me shkarkimin e disa këshilltarëve të vihet rregull në MPB.

“Në secilën ndërmarrje të rëndësishme të mundshme, qoftë të tenderit të pasaportave, qoftë të targave, qoftë me gjëra tjera të prokurimit, MPB-ja ka bërë manipulime të mëdha. Unë nuk mendoj që të gjitha këto kanë ndodhur pa dijen dhe pa përkrahjen e ministrit, kështu që nëse flasim për përgjegjësi, atëherë unë mendoj që edhe nëse ka ndodhur shkarkimi i tyre për skandalin e pasaportave, unë mendoj se kjo është thjesht hi syve për opinionin publik”, thotë Zogiani, duke shtuar se përgjegjësi duhet të japë ministri e jo ata që kanë punuar nën “komandën” e tij.

Lini një koment