Presidenca kundërshton Mustafën: Nuk ka nevojë për garanci të shkruar!
Presidenca e Kosovës nuk do të marrë seriozisht një rekomandim të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se nuk u besohet deklaratave të presidentes Atifete Jahjaga dhe kryeministrit Hashim Thaçi, ndërsa ka kërkuar prej tyre që të japin garanci se do të zbatojnë marrëveshjen ndërmjet tre liderëve politikë.
Arbër Vllahiu, zëdhënës i Presidentes, ka deklaruar për Telegrafin se institucionet i kanë garancitë institucionale për këtë çështje.
“Kryetari i LDK-së e ka marrëveshjen e tre liderëve me shkrim në të cilën shkruan qartë se pas përfundimit të reformës zgjedhore dhe kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, pas afatit të caktuar kohor, që liderët e partive e kanë riformuluar para disa muajve me pajtim të plotë, do të shpallen zgjedhjet presidenciale. Këtë saktësisht e ka deklaruar Presidentja që nga fjalimi inaugurues e deri sot. Liderët politikë duhet ta zbatojnë atë që e kanë nënshkruar”, ka thënë Vllahiu për Telegrafin.
Në anën tjetër, Vllahiu ka kundërshtuar pohimet se ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson është duke vazhduar rolin e ish-ambasadorit Christopher Dell si ‘engjëll mbrojtës’ i presidentes Jahjaga, komente që bëhen pas deklaratës së Jakobsonit se është herët të flitet për dorëheqjen e Jahjagës, derisa të përfundojnë ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore.
“Nuk pajtohem me këto vlerësime që ju po i thoni për politikën zyrtare të SHBA-së në Kosovë. Ajo që shihet nga intervista është që marrëveshja ndërmjet tre liderëve parasheh përfundimin e reformës zgjedhore dhe kushtetuese pa asnjë kusht dhe më pastaj organizohen zgjedhjet presidenciale, përkatësisht zgjedhjet parlamentare”, ka thënë Vllahiu. /Telegrafi