Ministrja Kusari-Lila, reklamon vetën pa pare
Çdo natë ministrja Mimoza Kusari-Lila këshillon kosovarët nëpërmjet një spoti reklamues që të konsumohen prodhimet vendore. Përveç saj, aty shihet edhe logo e institucionit që ajo udhëheq.
Me gjithë këtë reklamë që ministrja Kusarli-Lila i bënë vetes dhe Ministrisë së Tregtisë e Industrisë, nga buxheti i Kosovës nuk është paguar asnjë cent.
Marketingun pa pare asaj ia siguruan disa kompani private. Këtë e konfirmon për Indeksonline edhe zyrtarja e MTI-së për medie, Arta Istrefi.
“Reklama nuk ka kaluar nëpër proces të tenderimit meqë nuk është financuar nga Buxheti i Kosovës por nga kompanitë private të paraqitura në reklamë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka përkrahur reklamën për shkak të mandatit të vet për përkrahjen dhe zhvillimin e sektorit të prodhimit dhe ngritjen e vetëdijes për konsumin e produkteve vendore”, ka thënë ajo.
E, kompanitë që kanë reklamuar produktet e tyre në këtë reklamë kanë treguar për Indeksonline se kanë dhënë nga 400-500 euro para për realizimin e saj. Sipas tyre në këtë projekt kanë marr pjesë 18 ndërmarrje vendore.
“ Kemi bërë një marrëveshje për realizimin e reklamës, Me sa di unë kompania ime do të paguaj 400 euro. Kjo pagesë nuk është bërë ende. Por do te behet gjet këtyre ditëve, ka treguar Bedri Kosumi drejtori i kompanisë “Pestova” e që në këtë reklamë ka reklamuar produktin “Vipa”.
Edhe përfaqësues të kompanisë “Dona” kanë thënë se për këtë reklamë do të paguajnë 400 euro.
“Për realizimin e kësaj reklame iniciativën e ka marr MTI, por ata nuk kanë dhënë asnjë centë. Të gjitha shpenzimet do ti paguajnë kompanitë”, ka treguar Bashkim Osmani udhëheqë I kompanisë “Dona”.
Ndërkaq, përfaqësues të kompanisë “Entermedia”, që e kanë bërë realizimin vizual të kësaj reklame nuk kanë pranuar të flasin shumë për të. Ata vetëm kanë pranuar se e kanë bërë reklamën, por nuk kanë treguar sa ka kushtuar dhe si e ka fituar kompani e tyre realizimin e saj. /Indeksonline/